E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nikolaos”, si shpëtuan 5 peshkatarët që u rrezikuan në det



VLORË - Era e fortë dhe reshjet e shiut kanë bërë që një peshkarexhë të fundoset në det, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, gjë që ka rrezikuar edhe jetën e 5 anëtarëve të ekuipazhit, të cilët arritën të shpëtonin në sajë të ndihmës së Rojave Bregdetare Shqiptare, Policisë Kufitare dhe Guardia di Finanzas. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se anija e peshkimit “Nikolaos” ka kërkuar ndihmë rreth orës 00.05 të ditës së djeshme, teksa ajo ndodhej për gjueti sardeleje në Gjirin e Vlorës, pranë vendit të quajtur Shën Jani, pranë Gadishullit të Karaburunit.
Rreziku
Nga informacionet që jep Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit është komunikuar fillimisht me pronarin e peshkarexhës, Alfred Osmani, i cili ka konfirmuar se ndodheshin rreth dy milje në jugperëndim të Triportit, ku u ishte fikur motori. Mjeti lundrues kishte filluar të merrte pak ujë dhe ekuipazhi prej 5 personash rrezikonte të mbytej.
Me të marrë këtë informacion janë njoftuar të gjitha strukturat e shërbimeve të Vlorës. Për shkak të situatës së valëzimit të lartë detar dhe stuhisë në det, mjetet e lundrimit të stacionit të policisë kufitare të Triportit e kishin të pamundur të ofronin ndihmën e kërkuar. Për këtë arsye, nga ana e shërbimeve të Rojës Bregdetare në Sazan u vu në dispozicion Roja Bregdetare 217. Edhe kjo anije kontaktoi, por për shkak të kohës së keqe nuk dha dot ndihmë. Në këto kushte, në bashkëveprim me Kapitenerinë e Portit dhe me Guardia di Finanzën, u nisën në drejtim të peshkarexhës dy rimorkiatorë. Për shkak të erës së fortë, anija ishte zhvendosur nga Shën Jani përballë kodrës së Zvërnecit, rreth një milje në afërsi të bregut.
As rimorkiatorët nuk kanë mundur të ndihmojnë peshkatarët për shkak të motit të keq. Vetëm rreth orës 02.40 anija ka mundur të hyjë në cektinë, ndërsa ekuipazhi u ndihmua të largohej nga zona nga efektivët e shërbimeve policore.
Shkaqet
Drejtoria e Policisë së Kufirit dhe Migracionit, në Qarkun e Vlorës, bëri të ditur se "kushtet e papërshtatshme të motit dhe era e fortë bënë që peshkarexha të përballej me vështirësi të paparashikuara nga ekuipazhi i saj. Pronari i saj, Alfred Osmani, si dhe 4 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit, arritën të shpëtonin, të ndihmuar nga forcat policore të bregdetit. Aktualisht, mjeti lundrues tip peshkarexhë ndodhet në breg të detit, gjysmë i mbytur, në afërsi të kodrës së Zvërnecit, përballë pikës së vrojtimit të radarit. Ai do të nxirret në pritje të qetësimit të detit. Personat që ndodheshin në anijen “Nikolaos” ishin: Alfred Osmani, Xhevahir Hasani, Pajtim Veizi, Genci Shehu dhe Njazi Abazi.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›