Protestë në mbrojtje të dy të rinjve, po gjykohen për “Bollanon”
TEPELENË – Në ditën e gjykimit të dy të rinjve, të akuzuar për fyerje ndaj kryetarit të Bashkisë së Himarës, është bërë një protestë në sheshin “Ali Pashë Tepelena”, në Tepelenë, nga disa persona që kanë dalë në mbrojtje të të arrestuarve. Personat e mbledhur ditën e mërkurë, në sheshin kryesor të Tepelenës, kishin si synim mbështetjen e Orgen Hasanbegajt dhe Luan Halilit, të cilët u arrestuan para disa ditësh gjatë një proteste kundër Vasil Bollanos dhe prefektit të Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera. Protesta, e paralajmëruar ditë më parë nga disa shoqata atdhetare, dje është përqendruar në mjediset e Gjykatës së Tepelenës ku u dha masa e arrestit për shtetasit Orgen Hasanbegaj e Luan Halili. Këta të fundit u arrestuan para disa ditësh për veprën penale të prishjes së qetësisë dhe për këtë shkak gjykata vendosi dje t’i hetojë në gjendje të lirë. Protestës së banorëve të Tepelenës kundër Bollanos e Kserës iu bashkuan edhe banorë të Gjirokastrës. Protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë ndaj deklaratave të Bollanos për Vorio Epirin dhe në shenjë proteste kanë djegur në mes të sheshit “Ali Pashë Tepelena” një flamur grek me emrin e Vasil Bollanos të shkruar në të. Kryetari i Bashkisë së Himarës Vasil Bollano dhe prefekti i Gjirokastrës kanë bërë deklarata publike për Vorio Epirin duke e konsideruar Jugun e Shqipërisë si pjesë të Greqisë. Edhe politikanë apo përfaqësues të disa partive i kanë kërkuar publikisht Presidentit dhe Kryeministrit shkarkimin e kryebashkiakut të Himarës, Bollano.
15 Janar 2009