E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon kriza e gazit rus drejt Europës



Vendet europiane hynë në javën e dytë pa furnizim, ose fare pak, me gazin rus për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, vendi tranzit nëpër të cilin kalon gazi. Para dy ditësh, Rusia rifilloi furnizimin me gaz të Europës për ta ndalur atë sërish disa orë më pas. Për këtë arsye, presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Baroso, u ka sugjeruar kompanive europiane të padisin ato ruse dhe ukrainase për ndërprerjen e furnizimit me gaz. Ai u tërhoqi vërejtjen Rusisë dhe Ukrainës se po humbin besueshmërinë si partnerë në biznes. Barroso kërcënoi marrjen e hapave ligjore nëse nuk rifillon furnizimi me gazin rus. “Nëse marrëveshja nuk respektohet, kjo do të thotë se Rusia dhe Ukraina nuk mund të konsiderohen më si partnerë të besueshëm të Bashkimit Europian në çështjet e furnizimit me energji”, - tha Baroso. Ndërsa kryeministri rus, Vladimir Putin, ftoi Komisionin Europian që të forconte presionet për të detyruar Ukrainën të rilejojë furnizimin me gaz drejt Europës. Kryeministrja ukrainase, Julia Timoshenko, deklaroi se është e gatshme të takohet me Putin për të gjetur një zgjidhje konsensuale.

Feith: “Do të ndihmojmë Prishtinën në dialogun me Beogradin”

Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Piter Feith, nuk ka përjashtuar mundësinë që të jetë pjesë e dialogut teknik Prishtinë-Beograd, i cili, sipas paralajmërimeve të zyrtarëve të lartë të administratës së OKB-së në Kosovë, pritet të fillojë javët dhe muajt e ardhshëm. “Nuk dua të spekuloj për këtë gjë. Preferoj të pres dhe të shoh se çdo të sjellin zhvillimet e mëtejshme”, - tha Feith. Ai garantoi mbështetjen e Zyrës Ndërkombëtare Civile për Qeverinë e Kosovës në këto bisedime, por theksoi se takimet e drejtpërdrejta ndërmjet palëve do të ishin më të favorshme për të dy vendet që, sipas tij, kanë shumë çështje për të diskutuar. “Mendoj se është e qartë që ka ende disa çështje, zgjidhja e të cilave do të ishte një ndihmuese përmes kontakteve direkte mes Prishtinës dhe Beogradit. Le të shohim se si do të rrjedhin gjërat. Mund të them se Zyra Civile Ndërkombëtare është e gatshme të mbështesë Qeverinë e Kosovës në pjesëmarrjen e saj në këto bisedime apo kontakte”, - tha Feith.

Bullgari, përleshje në protestën kundër qeverisë

Pakënaqësitë ndaj qeverisë bënë që dhjetëra persona të protestonin dje, në një miting në kryeqytetin bullgar, gjatë të cilit disa pjesëmarrës u përleshën me policinë. Përpara parlamentit u mblodhën më shumë se 2 000 njerëz, përfshirë studentë, fermerë dhe aktivistë të mjedisit, të cilët thanë se ishin të lodhur nga jeta e vështirë në vendin më të varfër dhe më të korruptuar të Bashkimit Europian. Protestuesit kërkuan që qeveria e kryesuar nga socialistët të jepte dorëheqjen në lidhje me dështimin e saj për të luftuar korrupsionin dhe krimin dhe të zgjidhnin problemet që po hasen me krizën ekonomike globale. Disa thërrisnin “Jepni dorëheqjen" dhe “Mafia”. Dhjetëra protestues hodhën topa bore dhe shishe dhe u përleshën për afro një orë me policinë pasi filloi mitingu. Disa nga protestuesit morën plagë të ndryshme. Policia tha se kishte arrestuar disa veta që mbanin granata dore, pa dhënë hollësira të mëtejshme.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›