Kanosi me armë pas një zënke, ndalohet pas tri ditësh adoleshenti
Tiranë - Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në kryeqytet kryen arrestimin në flagrancë të 16-vjeçarit F. N. Adoleshenti dyshohet për konsumim të veprës penale të “kanosjes”, “plagosjes së lehtë me dashje” si dhe të “armëmbajtjes pa leje”. Arrestimi i tij u krye sepse dyshohet se tri ditë më parë, në rrugën “Tasim Shehu”, ka plagosur lehtë, për motive të dobëta, shtetasin Fadil Rushani, 24 vjeç, banues në Tiranë. U kryen veprimet procedurale, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë e llojit kallashnikov, mod - 56. Materialet e përpiluara në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.
Pranga dy të rinjve, dyshohet se bashkëpunonin në trafikun e drogës
Tiranë – Dy të rinj janë arrestuar nga policia pasi dyshohet se ishin posedues dhe shitës të lëndës narkotike të llojit kokainë. Roland Agalliu dhe Ylli Dhima, të dy 27-vjeçarë, u arrestuan sepse dyshohet të jenë bashkëpunëtorë në aktivitetin e paligjshëm. Sipas policisë, mbrëmjen e dy ditëve më parë shtetasi Ylli Dhima u kap në flagrancë në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, ku gjatë kontrollit personal iu gjet 1 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë. Nga puna e bërë rezultoi se shtetasi i sipërpërmendur këtë lëndë ia kishte blerë shtetasit Roland Agalliu, të cilit gjatë kontrollit personal iu gjet 1 gr lëndë narkotike e paketuar e dyshuar si kokainë si dhe shuma e parave prej 5 000 lekësh. Gjatë kontrollit të banesës iu gjetën edhe sasia prej 18.5 gr, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit kokainë, si dhe një peshore elektronike që shërbente për të peshuar lëndën. Në cilësinë e provës materiale, shtetasve të mësipërm iu sekuestruan: 20.5 gr bimë e dyshuar kokainë, tre celularë, 5 000 lekë, një peshore elektronike. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë me akuzën për veprën penale të “shitjes së lëndëve narkotike”.
Dyshohej si grabitës i një shtetasi, arrestohet pas tetë muajsh
Tiranë – Dyshohej se i kishte grabitur një shtetasi një sasi të konsiderueshme parash, arrestohet pas disa muajsh. Burime policore thanë se specialistët e Seksionit kundër Vjedhjeve me Dhunë, Armë dhe Shkatërrimit të Pronës kryen ekzekutimin e urdhrit të ndalimit në ngarkim të shtetasit Saba Meshi, 18 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i tij u krye pasi me datë 21 prill 2008 dyshohet se në afërsi të fshatit Laknas, në bashkëpunim me shtetasin Jetmir Hasa (tashmë i arrestuar me dt. 22.04.2008), i kanë vjedhur me dhunë shumën prej 43 500 lekësh një shtetasi.
Ishte në kërkim për burg të pakryer, dërgohet në qeli
Tiranë – Një 60-vjeçar, i shpallur në kërkim për konsumim të veprës penale të “mashtrimit”, është arrestuar dje nga specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit. Uniformat blu kanë ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për shtetasin Kadri P., 60 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Gjykata e Tiranës, me vendim të datës 08 nëntor 2008, e ka dënuar me 9 muaj burg për veprën penale të “mashtrimit”, parashikuar nga Neni 143 i Kodit Penal.
Identifikohen dhe arrestohen vjedhësit e një biznesi në kryeqytet
Tiranë – Policia ka mundur të identifikojë autorët e vjedhjes së dyqanit të lojërave të fatit “IP-Bet”, ndodhur më 08 janar 2009. Nga hetimet e kryera dyshohet se autorë janë shtetasit Besnik Z. 24 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, si dhe Fatos N. 24 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë. Në ngarkim të tyre u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim.
15 Janar 2009