Hamburg, gati 8 milionë euro për Shaqirin

Skuadra e Hamburgut ka rishfaqur interesimin për talentin kosovar, Xherdan Shaqirin. Madje klubi nga Bundesliga edhe zyrtarisht po kërkon transferimin e reprezentuesit zviceran në Imtech Arena.
Trajneri i Hamburgut, Michael Oenning ka pranuar se drejtuesit e klubit gjerman kanë filluar kontaktet me udhëheqësit e kampionit të Zvicrës për transferimin e 19-vjeçarit.
“Është e vërtetë se me Baselin kemi biseduar, drejtori sportiv Frank Arnesen është në kontakt me klubin. Kemi filluar vendosjen e kontakteve”, deklaroi Oenning për tabloidin gjerman, Bild.
Duket se shuma që kërkon Baseli, 8 milionë euro është shumë për klubin nga Bundesliga, por Oenning nuk mendon kështu. “Nuk mendoj se është diçka tragjike, por ende nuk ka diçka konkrete”, shtoi ai.
Megjithëkëtë, Hamburgu nuk është klubi i vetëm që e dëshiron Shaqirin. Për këtë të fundit, interesim kanë shfaqur shumë klube si Roma, Milan, Juventus, Fiorentina nga Serie A, Manchester United e Liverpool nga Premierliga, e disa të tjera.
Shaqiri i cili po shkëlqen me Zvicrën U21, në Kampionatin evropian gjatë kësaj vere, pritet të largohet nga Baseli, edhe pse ka marrë këshilla që të mbetet aty të paktën edhe një sezon.