E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështirë, por fitojmë

Admir Mehmedi beson se Zvicra do ta fitojë Kampionatin evropian U21, edhe pse është i vetëdijshëm se nuk do ta kenë aspak lehtë përballë Spanjës në finale. Për sulmuesin shqiptar, nuk është me rëndësi kush shënon gola, por fitorja. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 25 qershor 2011 në ora 13:30

Përfaqësuesja U21 e Zvicrës, ku luajnë edhe pesë futbollistë shqiptarë, të shtunën (sot) do të luajnë ndeshjen finale të Kampionatit evropian U21, kundër Spanjës.

Më meritorët për arritjen e helvetikëve deri në finale të këtij evenimenti, janë futbollistët shqiptarë të prirë nga ylli i Baselit, Xherdan Shaqiri dhe sulmuesi i Zurichut, Admir Mehmedi.

Goli i këtij të fundit në ndeshjen gjysmëfinale kundër Republikës Çeke në kohën shtesë i siguroi Zvicrës kualifikimin në finale. I vetëdijshëm se nuk do ta ketë aspak të lehtë, Mehmedi beson se do të triumfojnë edhe kundër spanjollëve.

“Unë besoj se kemi shanse shumë të mira që të fitojmë në finale. Do te jetë ndeshje shumë e vështirë, por kemi mundësi shumë të mirë që ta fitojmë këtë Evropian”, ka thënë për Express, Mehmedi.

Sulmuesi i lindur në Gostivar, ka shënuar 3 gola në këtë evropian. Dy i ka realizuar kundër Bjellorusisë dhe një kundër Republikës Çeke. 21-vjeçari thotë se në finale nuk ka rëndësi se kush shënon.

“Nuk është me rëndësi kush shënon gol. Të gjithë lojtarët që i kemi në ekip kanë mundësi të realizojnë gola kundër Spanjës. Me rëndësi është fitorja”, ka theksuar Mehmedi, i cili përkundër spekulimeve, ka thënë se është i përqendruar te Zurichu, me të cilin ka kontratë.

Ndërsa Xherdan Shaqiri, i cili po shkëlqen me paraqitje në këtë evropian, beson se përfaqësuesja zvicerane ka potencial ta ndalë Spanjën, e cila ka futbollistë të shquar në radhët e saj.

“Ne kemi potencial për ta mposhtur Spanjën. Neve na është ofruar një mundësi e madhe, dhe duhet ta shfrytëzojmë atë. Ne duam të shkruajmë historinë '', ka thënë 19-vjeçari.

Përveç Shaqirit e Mehmedit, kontribut për helvetikët në këtë evropian kanë dhënë edhe Granit Xhaka e Amir Abrashi, derisa Pajtim Kasami nuk ka pasur rastin të luajë në asnjë ndeshje.

Zvicra në këtë eveniment ka realizuar katër fitore nga po aq ndeshje, derisa nuk ka pranuar asnjë gol. Ndërsa Spanja në rrugën drejt finales ka realizuar tri fitore dhe një barazim. Takimi final ndërmjet Zvicrës dhe Spanjës do të zhvillohet në ora 20:45.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›