E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça merr izën

Falë intervenimit të Qeverisë së Kosovës, Ambasada zvicerane më në fund ka vendosur që t’i pajisë me viza futbollistët e Trepçës për të udhëtuar drejt Austrisë, për pjesëmarrje në një turne. Megjithatë, ky vendim nuk do t’i gëzojë të gjithë lojtarët mitrovicas, pasi vetëm disa nga ta do të shkojnë në këtë turne, sepse vendet e tyre tashmë i kanë zënë disa lojtarë nga Shqipëria. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 25 qershor 2011 në ora 12:07

Më në fund, pas shumë telasheve në të cilat hasi, skuadra e Trepçës ia ka dalë të pajiset me viza për të udhëtuar drejt Austrisë për të marrë pjesë në një turne, në të cilin do të garojnë edhe Dinamo e Bukureshtit, Hapoel Nikosia, Maccabi Haifa, Timisiora dhe Universitatea Cluj.

Në fakt, Ambasada austriake dhe ajo zvicerane fillimisht e kishin refuzuar kërkesën e ‘Xehetarëve’ për t’u pajisur me viza. Andaj, kampioni i vitit të kaluar mezi i kishte tubuar 19 lojtarë me pasaporta të tjera sa për të udhëtuar drejt Austrisë.

Kështu, Trepça të enjten veç ishte nisur drejt Austrisë me vetëm tre lojtarë të saj, derisa të tjerët i kishte mbledhur nga Kampionati i Shqipërisë – lojtarë të lirë.

Mirëpo, me vonesë, Ambasada e Zvicrës në Kosovë të premten e ka njoftuar Trepçën se ka vendosur t’ia lëshojë vizat. Për t’ia ndryshuar mendjen Ambasadës zvicerane, në mënyrë që t’i lëshohen vizat Trepçës, ishte dashur të intervenojë edhe Qeveria e Kosovës.

Kështu thotë kryetari i Trepçës, Nexhmedin Haxhiu. Sipas tij, pjesa tjetër dërrmuese e ekipit që ka mbetur në Kosovë, të hënën do t’i bashkohet pjesës tjetër të ekipit në Austri, kryesisht me lojtarë nga Shqipëria.

“Ambasada e Zvicrës na ftoi që të hënën t’i nxjerrim vizat dhe menjëherë të udhëtojmë drejt Austrisë. E falënderojmë shumë Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Sportit për ndihmën, por megjithatë edhe Ambasadën zvicerane”, u shpreh Haxhiu.

Megjithatë, nga Kosova drejt Austrisë tani nuk do të mund të udhëtojnë të gjithë futbollistët e Trepçës që kishin mbetur në Mitrovicë. “Nuk mund të udhëtojmë të gjithë, sepse atëherë atje do të bëhemi 50 veta. Por, do ta bëjmë një klasifikim të lojtarëve që do t’i nisim drejt Austrisë. Sigurisht se tani në atë turne më shumë do të luajnë lojtarët tanë, kurse ata që kishim tubuar nga Shqipëria, do të jenë rezervistë”, theksoi Haxhiu.

Në ‘kontingjentin’ e parë me Trepçën kishin udhëtuar tre futbollistë nga Kosova: Shpëtim Babaj, Arben Zhjeqi e Afrim Mziu, bashkë me trajnerin Fidaim Haxhiu. Kurse, nga Shqipëria ishin ftuar edhe Ervit Jacaj, Arbër Shytani, Flamres Caku, Senad Lekaj, Bledar Perfati, Admir Mehja, Arsen Hajdari, Jani Frisku, Haris Lika, Jasir Rrustija, Suat Kaloshi, Olti Bishani, Ervin Hallunaj, Ervis Kraja dhe Alsid Tafili. ‘Minatorët’ kanë ftuar edhe Enis Fetahun dhe ish-reprezentuesin e Shqipërisë, Besart Berishën.

Në kuadër të këtij turneu, Trepça do t’i zhvillojë pesë ndeshje ndaj Universitatea Cluj, Dinamo Bukureshtit, Maccabi Haifa, Hapoel Nikosia dhe Timisiora.

Cluj mposht Trepçën 1:0

Trepça nuk e ka nisur mirë aventurën e saj në një turne ndërkombëtar që po mbahet në Austri. Ekipi mitrovicas është mposhtur në ndeshjen e parë të zhvilluar në kuadër të këtij turneu, të premten, nga Universitatea Cluj, me rezultat minimal, 1:0. Ekipi rumun golin e fitores e ka shënuar gjatë pjesës së parë dhe avantazhin ia ka dalë ta ruajë deri në fund të ndeshjes.

“Universitatea Cluj një rast e pati dhe shënoi gol. Kurse, ne luajtëm shumë mirë. Gjatë pjesës së dytë, forcat ishin të barabarta, por ne i lëshuam dy raste shumë të mira. Megjithatë, jam i kënaqur me lojën që treguam”, deklaroi për Express pas ndeshjes, trajneri i Trepçës, Fidaim Haxhiu. Ndeshjen e radhës, Trepça e zhvillon të hënën ndaj Dinamos së Bukureshtit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›