E Diel, 1 Nëntor 2026

Sabit Brokaj: Si u shua Enveri në duart tona

 

“Enveri kishte një kompleks sëmundjesh. Që nga viti ‘47 vuante nga diabeti. Në vitin ‘73 pësoi infarktin e parë. Më pas kaloi në koma disa herë. U rëndua shumë në fillimin e viteve ‘80. Kaloi në gjendjen fatale në pranverën e ‘85-ës...”Profesor Sabit Brokaj, njëri nga mjekët e ekipit të Enver Hoxhës, i ftuar në emisionin “Histori me zhurmues” të “TV Klan”-it, rrëfen një pjesë nga historia e bluzave të bardha që shërbyen në roje të shëndetit të tij. I njohur në detaje me patologjinë e sëmundjes së Enverit, profesor Brokaj, njëri nga mjekët e bashkuar me stafin e ekipit që ndiqte shëndetin e tij në fillimin e viteve ‘80, sjell një panoramë të zgjeruar të kompleksit të sëmundjeve nga të cilat vuante diktatori. Çastet fatale të Enverit dhe përpjekjet e fundit të bluzave të bardha për ta risjellë në jetë, hartimi i komunikatës zyrtare për vdekjen e tij dhe mënyra si u operua për autopsinë në morgun e Tiranës, janë nga momentet më interesante të dëshmisë së profesor Brokës. Ndërkaq, zbulon një pjesë të mistereve mbi mënyrën e organizimit të ekipit mjekësor të Enverit, duke bërë të ditur se i vetmi udhëheqës i lartë, që përgjigjej për të ishte Hysni Kapua. Më tej mjeku i klinikës speciale rrëfen raportet e veçanta të Enverit me bluzat e bardha dhe psikologjinë interesante si pacient kronik, që dallohej për kulturë të lartë mjekësore dhe guxim të admiruar në përballimin e sëmundjeve.
Zoti Sabit! Ju keni qenë mjek në ekipin që ndiqte shëndetin e Enverit. Mund të na bëni një panoramë për gjendjen shëndetësore të tij në vitin 1985, por edhe më parë?
Në vitin ‘85 realisht gjendja shëndetësore e Enverit ishte e rëndë. Ishte një rëndim progresiv, ashtu siç jep një diabet i vjetër, kur kjo sëmundje godet në tre organe kryesore, zemër, tru dhe veshka, nga të cilat realisht Enveri vuajti. Nga zemra pësoi infarktin siç dihet në vitin ‘73, u mbajt si gjendje e stabilizuar, u rëndua problemi kardiovaskular, zemra kryesisht në vitin ‘80, në janarin e ’80-ës, kohë në të cilën unë u bëra anëtar i ekipit mjekësor të tij, filloi të krijojë shqetësime. Më pas në vitin ‘84 bëri insult iskemik cerebrale, ndërkohë që vuante dhe dëmtimin e trurit po nga diabeti. Bëri një gjendje kome të përkohshme, por që u riaftësua fare mirë. Më pas bëri dhe një goditje tjetër. Veshkat u dëmtuan më shumë nga diabeti me azoteminë e lartë, siç njihet mosfunksionimi i mirë i veshkave, i cili filloi aty nga fundi i vitit ‘84. Gradualisht u rrit azotemia, u bë më kritike nga fundi i ’84-ës dhe natyrisht gjendja shumë më serioze u bë në fillimin e ‘85. Përmbledhur mund të thuhet që ai i vuajti të gjitha ndërlikimet e diabetit dhe rëndimi i shëndetit erdhi gradual dhe progresiv duke sjellë dëmtimin e funksionimit të organeve jetësore. Në vitin ’85, pasi kishte kaluar insultin iskemik cerebral, siç thashë dhe ishte rehabilituar fare mire përkohësisht, u rëndua përsëri nga veshkat. Unë në atë kohë mbuloja shërbimin e urgjencës së tij së bashku me Ahmet Kamberin, ndërkohë që mbuloja dhe shërbimin e entogaografisë për të gjithë klinikën speciale. Kështu që ne e kishin jashtëzakonisht të qartë këtë gjendje. Si të thuash ne e shikonim zemrën e tij me sy. Bëmë një ndryshim natyrisht në organizimin e punës në staf midis mua dhe doktor Ahmetit, meqenëse ne ndërronim  njëri-tjetrin në çdo 24 orë. E lamë që tashmë shërbimi të ishte i përbashkët, në mënyrë që ekipi të ishte sa më i plotë, sepse ishte e pritshme ajo situatë që ne e quajmë fatale. Dhe kështu ndodhi. Pikërisht më datën 9 prill, ne ishim të dy, kishim bërë vizitën e mëngjesit dhe kishim konstatuar tregues që në përgjithësi ishin në ekuilibër. Ai ishte tashmë një i sëmurë në shtrat, dilte me karrocë vetëm nëpër shtëpi. Pikërisht një ditë para se të ndërronte jetë ka bërë atë fotografinë në karrocë në krahë të Nexhmije Hoxhës, fotografi kjo që është futur në albumin që u bë pas vdekjes së tij. Duhet të ketë qenë data 7 e 8 kur lëvizte me karrocë në oborrin e shtëpisë. Pasi ne bëmë vizitën pamë që zemra ishte mirë, tensioni ishte mirë, natyrisht shenjat e lodhjes së zemrës ishin dhe shkuam në dhomën tonë aty ngjitur. Papritur na vjen një sinjal, aty kishte një komunikim korrekt e të shpejtë. Na vijnë në vazhdim disa sinjale, telefonata tepër shqetësuese. Të ndodhur brenda godinës, brenda të njëjtit kat vetëm në disa sekonda mbërritëm tek Enveri. Thashë që ishte një situatë tepër kritike e pritej nga çasti në çast fundi i tij. Enverin e gjetëm natyrisht pa aktivitet jetësor. Zemra kishte ndaluar, frymëmarrja kishte ndaluar. Bëmë goditjen e parë elektrike. Bëmë disa të tilla. Filloi të rikthehej aktiviteti i zemrës. Prej datës 9 deri në datën 11 për çudi nuk pati asnjë luhatje të tensionit apo të ritmit të zemrës, gjë që na habiste pasi edhe pa kaluar në këtë gjendje këta tregues ato ditë kishin qenë shumë të lëvizshëm. Megjithëse zemra filloi të punojë, ai nuk po zgjohej, pra nuk po dilte nga koma. Ringjallja kishte ndodhur si të thuash me vonesë themi për trurin e një moshe të atillë dhe që vuante nga qarkullimi i gjakut në tru prej shumë vitesh. Pra, rizgjimi i zemrës u bë brenda atyre minutave, ku truri mund të ringjallej dhe mund të rikthehej, mund të rizgjohej koshienca. Po nuk ndodhi e nuk kishte si të ndodhte kjo. Një tru që realisht kishte vuajtur nga diabeti nga këto fenomene, natyrisht nuk u rikthye e nuk kishte si të kthehej më në punë. Të njëjtën gjë pësuan edhe veshkat. Veshkat dihen që e humbasin progresivisht funksionin në gjendje të tilla. Azotemia e lartë tregonte që njësitë funksionale të veshkave ishin shumë të pakta. Ai mbahej me minimumin e funksionimit të veshkës. Veshkat ishin organet e dyta që nuk u rikthyen në funksion. Dhe natyrisht përcaktuan fundin. Ne ishim të gjithë aty, profesor Fejzi Hoxha, profesor Petrit Gaçja, Ylli Popa, Isuf Kalo, Ahmet Kamberi, reanimatori Arben Fino. Shikuam nga afër veprimin që tregonte se zemra po shuhej. Ishim të gjithë në monitor, nuk humbitnim asnjë sekondë, elektrodat që bënim goditje i kishim gati me pastë për goditje. Bëra goditjet e radhës, të cilat mund t’i bënte kushdo nga ne. U duk sikur zemra po rikthehej një moment, por u shua përsëri aktiviteti i saj. Goditëm përsëri dhe, kur e pamë që nuk mund të vazhdonte më ringjallja dhe ishte e humbur çdo gjë, u pamë sy më sy me njëri-tjetrin dhe morëm një miratim në heshtje. Ne ishim mjekë dhe kodi i reanimacionit ishte i njohur nga të gjithë. Ishte krejtësisht e kotë të digjnim gjoksin e tij me 400-vatëshin që e godisnim në zemër. Nuk kishte më asnjë shpresë. Ky ishte fundi! Gjatë këtij momenti thirrëm Ramiz Alinë. Erdhi Ramiz Alia. Erdhi Hekuran Isai. Erdhi Adil Çarçani. Siç ishte rregulli për dy tre orë ndenjëm në heshtje. Ramizi na tha për të përpiluar përfundimet tona, pasi do të jepej njoftimi zyrtar në gazetë, do të njoftohej partia, vendi. E vërteta është që në komunikatë  saktësuam të gjitha hollësitë, dukë mos lënë jashtë asnjë gjë. Ramizi urdhëroi për ta çuar në morg. Ne menduam fillimisht që mos ta çonim në morg, pasi diagnozat ishin mëse të qarta. Një i sëmurë kronik me një patologji shumë të dokumentuar deri në hollësi. Një mjeku kudo që të jetë do t’i pëlqente që komunikatën ta bëjë pas morgut, kuptohet për të plotësuar ndonjë gjë. Jo tha Ramizi çojeni në morg, kurse komunikatën e dua tani. E çuam në morg herët, aty nga ora 04:30-05:00, që të mos kishte personel. Ndërkaq, kishim bërë edhe komunikatën...
Në morgun e Tiranës apo jo...
Në morgun e Tiranës patjetër. Autopsia u bë nga specialisti më i mirë i fushës. Mbaj mënd kryeinfermieren Leze që gjatë autopsisë qante tërë kohën dhe e kishte shumë të vështirë të përmbahej. Ne, natyrisht ishim pajtuar me procesin, kishim kohë që e përjetonim këtë fund të pashmangshëm, pasi bëhej fjalë për një vdekje që në kuptimin mjekësor e prisnim.
Enveri si pacient trajtohej në shtëpi apo në klinikë?
E vërteta është që ai përherë është trajtuar në shtëpi. Gjithnjë është ekzaminuar në shtëpi. Fillimisht u ndoq për diabetin nga profesor Fejzi Hoxha. Më vonë shkoi në ekipin e tij Isuf Kalua që ishte edhe mjek i familjes. Deri në vitin ‘73 ka qenë kardiolog i Enverit Nikolla Shurbani, një mjek ky dhe njeri i shkëlqyer. Ai njihet si themeluesi i kardiologjisë shqiptare. Bile unë atë kam zëvendësuar në ekipin mjekësor të Enverit. Ai u largua thjesht për arsye moshe, pasi ishte një shërbim shumë i ngarkuar, ca më tepër që vitet e fundit shërbimi aty u ngarkua jashtë mase nga që shëndeti i Enverit u rëndua nga një kompleks sëmundjesh dhe përgjegjësia e stafit ishte shumë më e lartë. Pas vitit ‘73, pasi pësoi infarktin, në ekipin e Enverit erdhi si kardiolog profesor Ylli Popa e më vonë dhe Hajro Shyti. Më pas akoma Ahmet Kamberi. Pesë-gjashtë vitet e fundit të jetës së Enverit, në këtë ekip si kardiolog shkova edhe unë. U bë si të thuash një ekip kompakt që e shoqëronte kudo, bile edhe kur shkonte në zyrën e tij në Komitetin Qendror. Ishte një ekip që ishte ngritur dhe dihej me saktësi vetëm nga Hysni Kapua, i cili në atë periudhë bënte detyrën e Sekretarit të KQ të partisë. Pjesa tjetër e udhëheqjes nuk e njihte fare mënyrën e funksionimit dhe përbërjen e këtij ekipi. Atyre askush nuk ua kishte komunikuar përbërjen e tij. Ne ishim porositur që të mos flisnim për ekipin, aq më shumë që udhëheqësit e asaj kohe ishin shumë të disiplinuar në këtë pikëpamje. Nuk bënin pyetje tej një caku të përcaktuar apo nuk shfaqnin ndonjë kuriozitet të tepruar lidhur me mjekët e Enverit. Kur u rëndua natyrisht u vendos gjithë aparatura në shtëpinë e Enverit. Pra, gjithë aparatura që duhet në një reanimacion. Monitorët, aspiratorët, aparatet që mbulojnë gjithë sistemet e organizmit. Megjithëse ai nuk e afronte psikologjinë e të sëmurit, përsëri mjekun e donte afër.
Ishte natyrë e rregullt Enveri në trajtimin si pacient dhe çfarë raportesh ruante me ju mjekët?
Mjekët më të vjetër që kanë shërbyer pranë tij thonë se ai ka qenë një natyrë e vështirë. Ai ka qenë shumë optimist dhe i rregullt ndaj këshillave e mjekimit. E deshi trajtimi i diabetit p.sh., dhe ai e la cigaren, ndërkohë që ishte shumë i disiplinuar ndaj regjimit që diktonte sëmundja. Ai ka qenë jashtëzakonisht i guximshëm lidhur më patologjinë. Nga karriera ime e gjatë si mjek ky dhe Hysni Kapo kanë pasur një guxim të veçantë. Ka qenë rasti kur bëri insultin cerebral, sapo u rehabilitua një çikë donte me domosdo të dilte. Ka pasur një rast, njerëzit mund ta kenë parasysh një pozë të tij te varrezat e dëshmorëve, në mos gaboj është festa e 29 nëntorit të ‘84, kur ai ka qenë shumë i sëmurë. Ne kishim katër-pesë ditë mezi e nxorëm nga një edemë pulmonare e rëndë nga lodhja ekstreme e zemrës dhe ai ngulmoi ta thyente vendimin e konsultës tonë për të mos lëvizur. Po ai ishte para presionit për të dalë në publik, pasi shtypi në atë kohë sidomos ai i Beogradit shkruante, që jo vdiq, jo vuan rëndë, jo e vranë, siç bënin ata diversionet e tyre dhe siç duket, qoftë edhe politikisht duhej të delte. Po ai nuk pyeti fare, por tha hajde më shoqëroni dhe doli, të them të drejtën në gjendje të tillë ne të sëmurët i shtrojmë në spital. Ka qenë një rast tjetër. Është dhënë një skenë në Kuvendin Popullor, ku qëndronte dhe kamera larg s’duket ishin instruktuar. Ishte pra, në një situatë shumë të rëndë shëndetësore dhe ne e kishim këshilluar të mos dilte. Kishte ujë në mushkëri dhe frymëmarrjen e kishte shumë keq. Këto lloj gjendjesh mund të vijojnë me infarkt ose mbyllin edhe jetën. Ai merrte tinitrinë bile na kërkonte ne si ta përdorte duke qenë vetëm pa mjekun në presidium. Dhe ne e shikonim me marifet sa herë ai nxirrte shaminë. Dhe gjykonim kur vinte tinitrinën dhe gjykonim u bënë dy apo tre. Thashë këto janë patologji, që japin shumë ankth te cilido. Po ai kishte guxim dhe një përmbajtje të jashtëzakonshme mund ta thosha unë. Nuk ka qenë ashtu siç thonë, Dhe ne habiteshim me këtë kurajo të tij. E vërteta është që Enveri kishte kulturë mjekësore. Kishte mjaft kulturë mjekësore, lexonte. Nuk është se me ne komunikonte gjatë dhe nuk është siç thotë ndonjëri se ai rrinte gjatë me ne. Nuk është e vërtetë fare. Dikur po, bënte ndonjë shaka me profesor Hoxhën, doktor Yllin. Më pas kur bënim atë vizitën e mbrëmjes kur ai shkonte për të fjetur aty nga ora 22:00-23:00, ai nuk kishte qejf të zhvishej para mjekut me përjashtim kur bënim ndonjë matje tensioni. Ai e shpërfillte dhe kishte dëshirë ta shpërfillte siç thashë psikologjinë e të sëmurit. Komunikimi me të ishte i natyrshëm. Kjo është e vërtetë.
vijon nesër...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›