E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamdi Salihi: Jeta ime në SHBA pranë Roselës

TIRANE - Hamdi Salihi ka nisur një jetë komplet tjetër në Amerikë. Në një vend, ku futbolli vetëm vitet e fundit ka hyrë te sportet e preferuara, bomberi i kombëtares shqiptare është duke kaluar një periudhë ndryshe nga Evropa.

Stërvitje më të forta, udhëtime pranë Shtëpisë së Bardhë dhe më shumë kohë e shpenzuar me të dashurën e tij Rosela. Është kjo jeta e Salihit në Shtetet e Bashkuara, ku u transferua në fund të merkatos së dimrit nga Rapidi i Vjenës.

"Unë dëshiroja që të kisha një rol të rëndësishëm në skuadër. Me trajnerin Peter Shoter, kjo ishte e pamundur", ka thënë shkodrani, lidhur me përfundimin e aventurës te skuadra austriake. Në Uashington, tifozët e D.C. Junajtid presin shumë prej Salihit, një sulmues i marrë me bujë në fillim të muajit shkurt. E ndërkohë, kryeqyteti i SHBA-së, duket se i ka hyrë që tani në zemër bomberit kuqezi. "Uashingtoni është i shkëlqyer, por gjithsesi i vogël, - thotë Salihi. - Unë kaloj çdo ditë pranë Shtëpisë së Bardhë. Për këtë më ka ndihmuar shumë shoku im Branko Boshkoviç, ne të cilin kemi jetuar në një shtëpi në Vjenë. Jemi duke kaluar mjaft mirë", shton ai për "heute.at".

E dashura
Kur Hamdi Salihi refuzoi ofertën e një ekipi kinez për të pranuar atë të D.C.Junajtid në Amerikë, shumë media aluduan se kjo ndodhi për shkak se ai dëshironte t'i qëndronte pranë të dashurës Rosela. Kjo e fundit është me studime në Nju Jork dhe më përpara pati udhëtuar shpesh për në kryeqytetin austriak, që të ndiqte të dashurin e saj teksa aktivizohej për Rapidin e Vjenës. Madje, mediat e kanë quajtur shpesh si "hajmalinë" e sulmuesit, ndërkohë që tashmë distanca mes tyre është zvogëluar, Salihi pranon se është duke kaluar një periudhë të bukur me vajzën që dashuron. "Rosela studion në Nju Jork, por tashmë kemi mundësi të kalojmë më shumë kohë së bashku", thotë ai.

Rapidi
Hamdi Salihi kaloi dy sezone e gjysmë te Rapidi i Vjenës, duke qenë sulmuesi kryesor i skuadrës. Me vajtjen e trajnerit Peter Shotel, hapësirat e tij u zvogëluan gjithnjë e më shumë derisa bomberi shkodran, nisi të kërkonte një skuadër tjetër. Me vajtjen në SHBA, kishte nga ata që e quanin karrierën e sulmuesit shqiptar drejt fundit. "Në fakt, këtu stërvitja është më e fortë. Duhet të jesh fizikisht më i fortë, pasi kështu është edhe mënyra e lojës në SHBA. Taktika nuk është aq vendimtare sa në Evropë", shprehet Hamdi Salihi. Sulmuesi kuqezi ende nuk e ka harruar Rapidin, klubin që në njëfarë mënyre i dha edhe famën ndërkombëtare. Ai ka treguar edhe shkaqet e largimin prej tij. "Më duhet të largohesha, sepse kisha dëshirë të luaja sërish, - shprehet bomberi i kombëtares kuqezi. - Gjithsesi, koha që kam kaluar te Rapidi ka qenë më e bukura e jetës sime. Nëse do të kem kohë, do të shkoj sërish për vizitë. Një falënderim i madh u shkon tifozëve të Rapidit, që për mendimin tim janë më të mirët në botë", ka deklaruar sulmuesi shqiptar.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›