Hamdi Salihi arrin ne 11 gola kuqezinj

Golat i ka të rëndë, shpesh me vlerë 3-pikëshe. Hamdi Salihi ka ndihmuar Shqipërinë të fitojë 3 ndeshje me rrjetat e shënuara nga ai. Bëhet fjalë vetëm për ndeshje eleminatore, pra zyrtare.
Që nga Luksemburgu në shtator të 2010-ës e deri tek Norvegjia e 22 marsit, sulmuesi mbetet i njëjti, i padukshëm, por vrasës atëherë kur duhet.
Të kujton Gerd Mylerin për të cilin trajneri i tij, Shën, thoshte se e kishte lojtarin më të keq dhe më të mirë në skuadër.
Por, Salihi nuk është vetëm efikas. Shpesh tregohet edhe spektakolar.
Ra në sy që në 2003, kur ishte 18 vjeç dhe luante për Vllazninë duke i shënuar një gol të tillë Tiranës kampione.
Në gushtin e 2011-ës, shënoi një gol me roveshatë po në stadiumin “Loro Boriçi”, veçse për kombëtaren, që fitoi 3-2 miqësoren me Malin e Zi. Gjithsej, ka 11 gola kuqezinj.
Salihi nuk do të jetë në miqësoren ndaj Lituanisë, pasi mori leje nga trajneri Xhani De Biazi, por do të rikthehet në ndeshjen eleminatore të radhës në Botëror, ndaj Norvegjisë në Tiranë më 7 qershor, me shpresë vetëm që të mos dëmtohet.