Greqi, rikthehen protestat në të gjitha qytetet
ATHINË- Greqia vazhdon të jetë e mbytur nga kaosi edhe për ditën e katërt radhazi. Njerëzit janë zgjuar ditën e djeshme në një ambient të shkatërruar totalisht nga protestuesit. Megjithatë, edhe pse u përfol si një ditë e qetë, gjatë ditës së djeshme, pas varrimit të 15-vjeçarit, kanë rinisur protestat pothuajse në të gjitha qytetet e Greqisë. Edhe këtë ditë ato janë shoqëruar nga shkatërrime dhe përleshje me forcat policore. Përleshjet kanë filluar mbas orës dy të mesditës, duke sulmuar policinë më gurë dhe çdo objekt tjetër që gjenin përpara. Gjatë ditës së hënë, janë arrestuar nga policia 92 protestues, 5 prej të cilëve janë akuzuar nga Prokuroria për veprën e shkatërrimit të objekteve publike. Greqia mbas katër ditëve vuan nga një shkatërrim total i ambienteve dhe qendrave kryesore të saj. Dëmet në biznese janë të shumta, dhe janë në rrezik ende shumë të tjera. Një shkatërrim, që shteti grek nuk kishte pësuar këtu e dy dekada më parë. Një numër i madh biznesesh janë shkatërruar me premtimin se do të kompensohen për këto dëme. Pavarësisht krizës ekonomike që ka pushtuar shtetin grek, vjen tashmë edhe shkatërrimi i bizneseve që, shumë prej tyre, mbas akteve të fundit rrezikojnë që të falimentojnë. Kjo, si të thuash ka qenë një shtysë për t’i përmbytur ato.
Bilanci i dëmtimeve
Deri më tani dëmet e shkaktuara nga shkatërrimi janë në një numër të madh. Llogariten të jenë prishur rreth 161 filiale bankash dhe biznesesh në Athinë. Gjithashtu, u është vënë flaka ambienteve të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Ekonomisë. Ndërsa gjatë ditës së hënë, shërbimi zjarrfikës grek ka qenë prezent për të shuar zjarrin në 190 objekte. Ndërsa në të gjithë vendin, dëmet e shkaktuara llogariten në 250 – 300 banka dhe biznese. Bordi i ngritur pranë Ministrisë së Ekonomisë, ka filluar gjatë ditës së djeshme verifikimin në terren për të bërë përllogaritjen përfundimtare të dëmeve të shkaktuara dhe për të nisur më pas kompensimin në vlerë monetare të këtyre bizneseve. Nga përshkallëzimi i shkatërrimeve nuk kanë shpëtuar as objektet më vlerë kulturore në qendër të Athinës. Gjatë shkatërrimeve ka marrë flakë Shtëpia Muze e Heroit Kombëtar grek, Kosti Palama. Ka rrezikuar që të bjerë pre e flakëve edhe Biblioteka Kombëtare e Greqisë, që konsiderohet si një vlerë e pazëvendësueshme e popullit grek. Në total janë shoqëruar në komisariatin e policisë 176 persona. Sipas pretendimeve të policisë, protestuesit janë shpërndarë nga tre mitingje të ndryshme, më pas ata janë shpalosur drejt të gjitha zonave të Athinës, duke sulmuar forcat policore dhe gjithçka që gjejnë përpara. Gjatë përleshjeve me policinë janë aksidentuar 12 policë dhe është shkatërruar e gjithë qendra e Athinës.
Varrimi i 15-vjeçarit
Në orën 15 të ditës së djeshme është zhvilluar varrimi i 15-vjeçarit, Aleksi Grigoropulo. Në ritualin e varrimit kanë qenë prezentë me mijëra qytetarë, të cilët e kanë përcjellë 15-vjeçarin në destinacionin e tij të fundit, me një duartrokitje të fortë dhe të ngrohtë, për të shprehur mbështetjen e tyre për fëmijën që gjeti vdekjen nga një plumb i policisë, mbrëmjen e së shtunës. Gjatë ritualit mbizotëronte një klimë zie, nga njerëz me fytyra të rënduara që shprehnin pakënaqësinë e tyre ndaj këtij akti vulgar. Ceremonia e varrimit u bë nën prezencën e një numri të madh nxënësish, prindër, profesorë, por edhe njerëz të thjeshtë kanë dhënë mbështetjen e tyre për vdekjen e padrejtë të 15-vjeçarit. Si shenjë e mbështetjes ndaj këtij akti, shumë prej bizneseve, gjatë ditës së djeshme kanë vendosur që të mbyllin dyqanet apo të varin tek to perde ngjyrë të zezë. Ndërsa të gjitha gjimnazet dhe licetë e vendit kanë qenë të mbyllura me urdhër të ministrit të Arsimit. Por, nga ana tjetër, masat e rrepta që policia greke kishte ndërmarrë gjatë varrimit, kanë sjellë edhe pakënaqësinë e atyre që ishin prezent në varrim. Kjo ka pasur si rrjedhojë vazhdimin e episodeve shkatërruese në Greqi, duke u përshkallëzuar gjatë gjithë pasdites. Ndërsa në të njëjtën orë që zhvillohej ceremonia e varrimit, në të gjitha qytetet e Greqisë, nxënës, profesorë dhe njerëz të thjeshtë, kanë vërshuar në rrugët e qyteteve përkatëse për të treguar reagimin që kanë ndaj vdekjes së të miturit. Të gjithë bashkëmoshatarët, shokë dhe një numër i madh njerëzish të tjerë, i kanë dhënë lamtumirën e fundit Aleksit, me shprehjen; “Rrugë të mbarë Aleksi”.
Karamanlis takohet me Papulias
Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri i vendit, Kosta Karamanlis, ka zhvilluar takime me Presidentin e Republikës, Papulias, por edhe me aktorë të tjerë të forcave politike në vend. Karamanlisi e informoi Presidentin për gjendjen e rënduar që mbizotëron në Greqi që nga mbrëmja e së shtunës. Të dy liderët i bënë thirrje opinionit publik për t’u qetësuar. Pas këtij takimi, Karamanlisi ka zhvilluar edhe takime me kryesocialistin Papandreu, por edhe me krerët e të gjitha forcave politike në vend. Pas takimit me Kryeminstrin, Papandreu ka akuzuar shtetin për paaftësi në të vepruar në të tilla ngjarje dhe ka kërkuar menjëherë që në vend të zhvillohen zgjedhje të parakohshme.
Policia qëllon ndaj protestuesve
Gazetarët e një emisioni investigativ në Greqi, kanë zbuluar një akt tjetër vulgar të kryer nga policia vendase. Këta të fundit janë filmuar gjatë një përleshjeje me protestuesit, duke qëlluar me armë në ajër. Sipas deklaratave të policisë, është thënë se ka pasur vetëm një goditje, ndërsa sipas filmimeve të publikuara, ato rezultojnë që të jenë 15. Pavarësisht këtyre, vlen të theksohet se nuk ka pasur asnjë viktimë nga këto goditje me armë. Megjithatë, ky veprim është dënuar rëndë nga mediat dhe opinioni publik grek, veprime të cilat tregojnë se, policia greke, edhe pas vrasjes së një 15-vjeçari, vazhdon të sillet në të njëjtën mënyrë për përballimin e protestave.
Dorëhiqet rektori i universitetit
Gjatë ditës së djeshme është dorëhequr në vend edhe rektori i Universitetit të Athinës, Kristos Kitas. Kjo dorëheqje ka ardhur si rezultat i reagimit të tij ndaj qeverisë aktuale. Sipas Kitas, qeveria nuk tregoi zellin e duhur për të mbrojtur ambientet e universitetit, edhe pas lajmërimeve të shumta që rektori kishte bërë për rrezikun që i kanosej. Ambientet e Universitetit të Athinës janë shkatërruar totalisht, duke mos pas asnjë viktimë.