E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet Guvernatori i Illinosit, do shiste postin e Obamas

Rod Blagojevich, me origjinë serbe, është “tradhtuar” nga disa përgjime telefonike ku tregohet korrupsioni

CHICAGO – Guvernatori i Illinoisit, Rod Blagojevich, i ngarkuar për të zgjedhur pasuesin e Presidentit të sapozgjedhur, Barack Obama, (në postin e senatorit të Ilinoisit) është arrestuar dje nga agjentët federalë amerikanë, me akuzën e korrupsionit. Agjentët kanë arrestuar edhe shefin e kabinetit të tij, John Harris. Prokurori federal e quajti “një përhapje të korrupsionit të krimit”. Arrestimet kanë ardhur pas një hetimi ku përfshihen edhe disa biseda telefonike të guvernatorit: Në biseda ka detaje mbi marrje ryshfetesh për emërimin e ri të senatorit të Ilinoisit. Senatori i deritanishëm ishte Barack Obama, i cili e la postin e senatorit, pas zgjedhjes si Presidenti i ardhshëm i SHBA-së. Në hetime përfshihet një periudhë që nga viti 2002, ku Blagojeviç akuzohet për disa raste ryshfeti. Emri i Rod Blagojevich u përmend shpesh, sidomos gjatë deklarimeve të Presidentit Obama lidhur me serbët dhe shqiptarët. Deklarata e famshme e Obamas: "Populli serb ka vuajtur shume", iu atribuua nga komuniteti shqiptar në SHBA ndikimit të Blagojevich-it tek Obama.

Në dëshminë e hetuar, thuhet se më 3 nëntor, ai u tregoi përfaqësuesve të guvernatorit se, në qoftë se ata nuk do t’i ofronin atij diçka me vlerë, ai do të mund ta merrte atë (postin). “Unë do ta mbaj këtë zgjedhje të Senatit, pasi për mua është një mundësi e vërtetë, dhe për këtë unë mund të menaxhoj një marrëveshje të vështirë. Në dëshminë e FBI-së thuhet se Blagojevich-i ka folur edhe për një vend në bordin e korporatës për gruan e tij, ku ajo mund të merrte rreth $150,000 në vit. Gjithashtu, ai ka diskutuar, gjoja, edhe për një post në kabinetin e presidentit, ose si ambasador, menjëherë pasi ai të linte zyrën e guvernatorit. “Unë dua të bëj para”,- thuhet në dëshminë e FBI-së, gjatë bisedës që ai ka bërë. Në asnjë nga çështjet që u diskutuan në gjyq nuk sugjerohet që Obama të ketë ndonjë pjesë të diskutimit. Madje, Blagojevich-i thotë që Obama nuk e donte atë si sekretar i shëndetësisë apo si ambasador, pasi kishte një publicitet negativ që kishte rrethuar guvernatorin për tre vjet.

Ilinoisi është shteti me komunitetin më të madh dhe lobin më të fuqishëm serb në SHBA. Vetë Blagojevich-i është me origjinë serbe. “Guvernatori 51-vjeçar demokrat dhe drejtuesi i kabinetit të tij, John Harris, u akuzuan gjithashtu se kishin kërcënuar grupin mediatik të ''Çikago Tribune'' nëse do të shkruanin në gazetë lidhur me këtë çështje'',- vijoi zyra e prokurorit në një komunikatë. Blagojeviçi u zbulua nga disa përgjime të autorizuara nga drejtësia, ku u zbuluan të ardhurat që përfitonte ai, për faktin se vetëm guvernatori mund të emëronte një tjetër senator, kur vendi i tij është vakant. FBI-ja hartoi një raport 76 faqesh për aktakuzën ndaj tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›