E Diel, 1 Nëntor 2026

Ronaldo te Korinthias, arrihet marrëveshja

"Fenomeni" do të rikthehet si futbollist në kampionatin brazilian, pasi ka arritur një marrëveshje paraprake

Sulmuesi brazilian Ronaldo ka pranuar t'i bashkohet skuadrës së Sao Paulos, Korinthias, pasi e ka marrë veten nga një dëmtim i rëndë në gju, pësuar në muajin shkurt. "Kemi arritur një marrëveshje verbale me Korinthiansin, që Ronaldo të luajë me ta," - ka bërë të ditur agjenti i Ronaldos, Fabiano Farah. Lojtari 32-vjeçar ka pranuar të luajë me këtë klub, njëri ndër më të mëdhenjtë e Brazilit, të cilët janë rikthyer në kategorinë më të lartë të futbollit brazilian, pas një mungese njëvjeçare. Klubi i Korinthians ka konfirmuar se janë duke u bërë negociata mes tyre dhe Ronaldos. "Edhe pak orë na ndajnë nga arritja e një marrëveshjeje finale dhe nga caktimi i datës së prezantimit të Ronaldos me fanellën tonë," - thotë një deklaratë e publikuar në faqen zyrtare të internetit të klubit brazilian. Kjo do të jetë hera e parë që Ronaldo do të luajë për një klub brazilian, qëkur u largua nga skuadra e Kruzeiros, ku u zhvillua, për ta lënë në moshën 17 vjeçare e për t'iu bashkuar PSV Eindovenit. Ronaldo këputi një tendinë të gjurit të majtë në ndeshjen e Serisë A, mes Milanit dhe Livornos, në muajin shkurt, dhe e la klubin italian më pas. Edhe para dëmtimit, Ronaldo ka pasur probleme me gjendjen e tij fizike dhe me peshën trupore dhe nuk ka luajtur për Brazilin, që prej Kupës së Botës 2006, kur bëri një paraqitje jo të mirë. Në muajin prill, ai u përfshi në një incident aspak të këndshëm me tre transvestitë në Rio-de-Zhanejro. Ronaldo kishte shkuar në një motel me ta, duke kujtuar se ishin vajza. Në muajin tetor, Ronaldo ka deklaruar se ka shtuar aq shumë peshë, për shkak të dëmtimit, saqë nuk kishte më ç'të vishte. Ronaldo më pas ka filluar stërvitjen me Flamengon e Rio-de- Zhanejros, një skuadër që dukej se do të bëhej shtëpia e Ronaldos për këtë sezon. Muajin që shkoi, gazeta italiane "Gazzetta dello Sport" pati shkruar se rehabilitimi i tij kishte qenë aq i vështirë, saqë Ronaldo nuk ishte i sigurt se a do të vazhdonte të luante më futboll.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›