E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX-i pushton Kosovën

Rreth 1400 gjyqtarë, prokurorë dhe policë të Misionit Evropian për Drejtësi dhe Polici, u shpërndanë dje në Kosovë

Misioni Evropian për Drejtësi dhe Polici, EULEX, ka filluar shtrirjen e tij në gjithë territorin e Kosovës, që në orët e hershme të mëngjesit të së martës. Zyrtarë të tij thonë se shtrirja po bëhet pa ndonjë problem. Zyrtarë evropianë thanë se ky hap shënon një "faqe të re të historisë së Kosovës" dhe u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ta mbështesin punën e misionit për drejtësi dhe polici. Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, tha se shtrirja e misionit është bërë pa probleme, madje edhe në pjesën Veriore të Kosovës me shumicë serbe. Zoti De Kermabon, tha se rreth 100 pjesëtarë të policisë së misionit të EULEX-it, janë vendosur në veri, përfshirë edhe dy postat kufitare, të cilat u dëmtuan pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nga protestues serbë. Ai, gjithashtu, pohoi se edhe një numër i gjykatësve dhe prokurorëve evropianë janë vendosur në Gjykatën në Veri të Mitrovicës, e cila në mars të këtij viti u shndërrua në skenë të përplasjes mes protestuesve serbë dhe policëve ndërkombëtarë, që çoi në vrasjen e një polici të UNMIK-ut. Një numër makinash të EULEX-it, me pjesëtarë të policisë dhe gjykatës e prokurorë evropianë, kanë hyrë në mëngjes në pjesën Veriore të Kosovës. Mësohet se përfaqësues të misionit të OKB-së, që kanë administruar Kosovën në nëntë vitet e kaluara, kanë lëshuar pjesën veriore të Kosovës me hyrjen e pjesëtarëve të parë të EULEX-it. Serbët e Veriut të Kosovës kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre me vendosjen e EULEX-it në vendbanimet me shumicë serbe, por kanë thënë se nuk do ta pengojnë punën e misionit. Autoritetet në Prishtinë e kanë përshëndetur vendosjen e EULEX-it dhe kanë kërkuar zbatimin e mandatit të tij në përputhje me planin Ahtisaari.

Misioni i EULEX-it, që po zëvendëson atë të OKB-së, pas nëntë vitesh administrimi, u vendos në Kosovë pas disa muajsh shtyrjeje. Ai u mundësua me miratimin e një Deklarate Presidenciale të KS-së së OKB-së, i cili miratoi një raport të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Moon. Në të përfshihet edhe një marrëveshje gjashtëpikëshe me Beogradin, që u ofron serbëve të Kosovës, në veçanti Veriut të saj, autonomi të gjerë në fushën e drejtësisë, policisë e doganave. Marrëveshja u kundërshtua nga autoritetet në Prishtinë që paraqitën një përgjigje katërpikëshe, e cila u përfshi në raportin e zotit Ban Ki Moon. Beogradi zyrtar ka kërkuar që misioni të jetë i paanshëm ndaj statusit, ndërkohë që udhëheqësit e Kosovës thonë se misioni duhet të punojë mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës. Organizatat joqeveritare dhe analistë në Kosovë thonë se misioni mund të përdorë ligje të ndryshme në pjesë të ndryshme të Kosovës, për shkak të paqartësisë së mandatit të tij. Sipas tyre, në Kosovë tani do të vlejnë edhe ligjet e Kosovës, por edhe ato të UNMIK-ut, që burojnë nga Rezoluta 1244. Misioni i EULEX-it thotë se do të përqendrojë punën e tij në fushën e drejtësisë, policisë e doganave dhe do të ketë rolin e këshillëdhënësit dhe mbikëqyrësit të institucioneve në këto fusha. Ai do të numërojë 1900 pjesëtarë, kryesisht policë, prokurorë e gjykatës. Aktualisht, në Kosovë kanë arritur rreth 1400 pjesëtarë të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›