Dy artistë italianë, në një ekspozitë të përbashkët
Alessandro Mancassola dhe Barbara Ceriani Basilico janë dy artistët italianë, të cilët kanë çelur në Vlorë në galerinë "The Promenade Gallery" ekspozitën personale të titulluar "Shark Tale and other skories". Të dy artistët, të cilët prej vitit 2005 jetojnë e punojnë në Milano nëpërmjet videoprojektimit të "Shark Tale" sjellin çelësin lëvizës mbi të cilin rrotullohet gjithë ekspozita. Bëhet fjalë për një video e cila vjen si tregim i një peshkaqeni-dem, i cili në humnerën e detit ripërshkon ngadalë të njëjtën rrugë, duke shënuar në pafundësi një rreth imagjinar, ndërkohë që peshq të tjerë vizatojnë rrugë larg prej tij. Gjithashtu, në këtë ekspozitë do të prezantohet edhe cikli "Icebreaker fleet on the stocks". Një seri vizatimesh të disa varkave të projektuara për të lundruar në ujërat polarë, sipërfaqet e të cilave janë prej akulli. Fleta e vizatimit shndërrohet kështu në detin e bardhë, i acartë e i ngurtë mbi të cilin flota e Icebreakers në dukje lundron në një qetësi të heshtur. "Cover 2", printim mbi letër, 7 turistë, në një anije detare, të veshur me të kuqe, pluskojnë duke u argëtuar mbi akullnaja. Ekspozita e dy artistëve italianë do të qëndrojë e hapur deri më datën 15 janar të vitit që vjen.