E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamdi Salihi, një shkëlqim “përgjysmë”

Irgis Hysenaj
- Para se Salihi të kalonte në kampionatin austriak, asnjë shqiptar nuk e kishte dijeninë se cfarë do të thoshte SV Ried. Për më tepër që edhe në Austri, nëse pyesje një qytetar të këtij shteti, ai do të përgjigjej se është një skuadër modeste, e cila lufton për të mbijetuar në kategorinë e më të mirave. Por po flasim në janar. Tani SV Ried ka një tjetër kuptim, do të thotë ekip që ka të drejtën të përfaqësojë Austrinë në kupën UEFA dhe vendi i dytë në renditje. Dhe sulmuesi shqiptar i skuadrës austriake është një nga njerëzit që ka udhëhequr këtë skuadër drejt suksesit. Gjashtë gola të shënuar në Superligën austriake, sukses i arritur dhe shndërrimi në një nga idhujt e tifozerisë vendase. Me të vërtetë shumë për një lojtar, në vetëm gjysmë sezoni. Dhe ky është vetëm fillimi. Është pjesa e vogël e një lojtari si Salihi, synimi i të cilit është që të shkëlqejë në kampionatet më të forta në botë. Aftësia e tij për të shënuar gola, loja në skuadër, kanë bërë që sulmuesi shqiptar të zërë një vend të rëndësishëm në skuadrën austriake. Që në momentet e para që ai mbërriti në Austri, trajneri i skuadrës, mediat e vendit flisnim me superlativa për të. Shkodrani fitoi menjëherë besimin e trajnerit, shokëve të skuadrës, tifozëve, një besim që ai kurrë nuk e shpërdoroi. Vetëm 23 vjec dhe ka arritur të jetë në qendër të vëmendjes. Salihi është mësuar kështu. Që në fillimet e karrierës së tij me Vllazninë, ai spikaste në fushën e lojës. Pas një aventure në Greqi me Panioniosin, ai kthehet në Shqipëri ku vesh fanellën e Tiranës. 22 vjec dhe arrin që të fitojë Kupën e Shqipërisë dhe "Këpucën e Artë" si golashënuesi më i mirë i Superligës. Megjithatë, edhe pse një nga futbollistët më të suksesshëm të momentit në Austri, Salihi vazhdon që të kujtohet në Shqipëri si ai djaloshi i ri i talentuar, por që akoma nuk ka arritur pjekurinë e duhur për të marrë përgjegjësi më të mëdha mbi supe, përgjegjësi këto që ai mbajti me sukses me Riedin. Ai ende nuk ka mundur që t'i mbushë mendjen trajnerit të kombëtares shqiptare Oto Baric, që e meriton që të luajnë në fushë me përfaqësuesen dhe jo vetëm të grumbullohet në kombëtare. Oto Baric e quan "Gerd Myleri" i Shqipërisë, duke e krahasuar talentin e Salihit me atë të një nga legjendave më të mëdha të futbollit gjerman. Për më tepër që ishte pikërisht kroati që e thirri atë në kombëtare. Salihi bëri debutimin e parë me fanellën "kuqezi" në vendlindjen e tij në Shkodër, por 3 minuta dhe një terren i rënduar nga shiu s'e lejuan atë të tregonte cfarë ai dinte të bënte. Edhe pse me konkurrencë të fortë në sulm, si Erjon Bogdani, Edmond Kapllani e Alban Bushi, Salihi do të duhej të priste ca për një vend në formacion. Momenti ideal për të ishte ndeshja miqësore me Anglinë, aty ku mungesat ishin të shumta nga titullarët në sulm dhe ku Salihi kishte mundësinë më të mirë për të treguar aftësitë e tij, përballë një skuadre si Anglia, e cila nuk mund të quhet kurrë "e rezervave", kur të gjithë lojtarët luajnë në Premierligë. Por Salihi nuk u thirr nga Baric në këtë miqësore, edhe pse në Austri ai tashmë ai ka hyrë në histori me skuadrën e tij. Ai është një nga lojtarët më të mirë të SV Riedit, por duhet të kënaqet vetëm me këtë, pasi aktivizimi në kombëtare mbetet ende larg. Salihi "shkëlqen" në Austri dhe përpara tij është aventura evropiane, por ende jo në Shqipëri. Ai tashmë ka arritur sukses, por një sukses të ndarë përgjysmë, pasi duhet të presë ende për të shënuar "golin e tij kuqezi"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›