E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamiti: GJND-ja ka krijuar disponim pozitiv për njohje

“Mendimi këshillues i GJND-së, që është qartësisht në mbështetje të legjitimitetit të pavarësisë sonë, ka krijuar disponim shumë pozitiv karshi mundësisë së njohjes së Kosovës nga vendet që kanë pritur verifikim nga një instancë juridike me peshë, siç është trupi më i lartë gjyqësor i OKB-së", ka deklaruar ai.

Hamiti ka bërë të ditur se që nga java e kaluar ka takuar shumicën e ambasadorëve të akredituar në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët ende nuk kanë shkuar në pushime.

“Gjatë gjithë javës kam pasur nga dy –tre takime në ditë me ambasadorë vendesh që nuk e kanë njohur Kosovën, të cilëve ua kam kërkuar njohjen e pavarësisë së vendit tonë, tash edhe me argumentin plotësues e të fuqishëm të vërtetimit juridik ndërkombëtar që i jep mendimi i GJND-së ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai. Ambasadori Hamiti nuk ka pranuar të flasë për instruksionet që ambasadorët i kanë pranuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, pas mendimit të GJND-së.

Përveç ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili ka nisur një fushatë lobuese në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, edhe nga diplomatët kosovarë të akredituar në vende të ndryshme të botës është kërkuar angazhim shtesë për shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën. Atyre fillimisht u ishte pezulluar pushimi vjetor deri më dhjetë gusht, dhe kjo gjë mund të ndodhë sërish në rast se mungojnë njohjet e reja.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Vlora çitaku, ka deklaruar se MPJ-ja i kishte kërkuar gjithë stafit diplomatik të pezullojnë pushimet deri më 10 gusht, në mënyrë që të jenë të përqendruar në aktivitetet lobuese.

“Varësisht nga zhvillimet do të japim edhe korrespodencën e dytë më 10 gusht, megjithatë nuk ka asgjë definitive, sepse kjo duket që do të jetë një verë e gjatë për misionet diplomatike të Republikës së Kosovës, por e rëndësishme është që të jetë e suksesshme ashtu siç duket se do të jetë”, ka thënë ajo. /Koha/Start/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›