E Diel, 1 Nëntor 2026

"Serbia t’ia thotë popullit se Kosova ka shkuar"

Por ai ka shtuar se Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së, nëse e luan si duhet lojën e kartav

Sletzinger, siç ka vlerësuar në një intervistë për FoNetin, e ka “frustruar” politika dhe fushata e qeverisë së Serbisë për marrjen e mendimit të GJND-së, meqë individë kanë kaluar kohë të gjatë në udhëtime nëpër botë “çdo të pestën ditë kanë qenë në OKB”, dhe kanë folur se kurrë nuk do ta njohin Kosovën. Ndonëse nuk e di se çfarë kanë bërë “nën rrogoz”, në opinion është promovuar kjo vijë e fortë, ka theksuar Sletzinger, i cili konsideron se në vend të kësaj qytetarëve të Serbisë është dashur t’u thuhet e vërteta.

“Do të duhej ta thoshin të vërtetën se Serbia nuk do ta mbante Kosovën, madje edhe sikur SHBA, pavarësisht nga të gjitha ato punë të këqija që mund të kenë bërë, ta ndërronte mendimin e vet, meqë realiteti i jetës në terren është tjetër”, ka sqaruar Sletzinger.

Serbët janë shumë të lidhur me Kosovën, ka thënë Sletzinger dhe ka vlerësuar se politikanët do të duhej ta thoshin qartë se Kosova “fizikisht po shkon”, porse përgjithmonë do të jetë pjesë e Serbisë përmes kushtetutës, njerëzve që jetojnë atje, rrëfimeve....

Përkundër kësaj, mendimi i GJND-së, sipas vlerësimit të Sletzingerit, nuk mund të konsiderohet sukses i diplomacisë kosovare, meqë ajo askund nuk ka punuar si duhet, pos në SHBA.

Sletzinger ka vlerësuar se SHBA “për shqiptarët janë kampionë”, por ka thënë se Washingtoni, për shkak të krizës ekonomike, dhe luftërave në Irak e Afganistan, ka në mendje gjëra të tjera dhe konsideron se BE duhet të marrë rolin kryesor në Kosovë.

Në një këso situate, ka shtuar Sletzinger, shqiptarët e Kosovës “do të duhej të silleshin më me përgjegjësi dhe jo kombëtarisht”.

“Duhet të heqin dorë nga mbështetja në SHBA, duhet të bëjnë gjithë ç’është e mundur që serbët të mbesin në Kosovë, që të mos dëmtohen tempujt serbë, që njerëzit të kenë liri lëvizjeje dhe jetë të dinjitetshme. Kosovarët duhet të jenë në nivelin e detyrave të kohës”, ka porositur Sletzinger.

Duke u marrë me rolin e BE-së dhe SHBA-së në rajon, Sletzinger ka rikujtuar se unioni është i pranishëm në terren, ka misionin e vet, po deponon shumë para dhe ka qëllime të mira, kur bëhet fjalë për të ardhmen e Serbisë.

Ndonëse konsideron se serbët janë më së paku unikë kur është më së shumti e nevojshme, Sletzinger thekson se Serbia “nëse luan mirë lojën e vet të kartave, mund të bëhet anëtare e BE-së, sikundër edhe e NATO-s, po deshi”.

“Serbia mund të ketë edhe votën e vet në Kosovë, një lloj kontrolli, por nuk do ta udhëheq më”, parashikon Sletzinger, duke vlerësuar se Serbia, pas theqafjeve të viteve 90-ta, tani ka rast unik që t’i bashkohet bashkësisë ndërkombëtare.

Ai përfshirjen e Serbisë në listën e bardhë të Shengenit e ka vlerësuar si një hap të madh të saj, dhe dëshmi se BE e dëshiron si anëtare të veten. /KD/start/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›