E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamnei miraton mandatin e Ahmadinexhadit

 

Mahmud Ahmadinexhad u bë për herë të dytë president pas kalimit të të gjitha instancave zyrtare të Iranit mbi këto procedura, me gjithë kundërshtimet e një mase të gjerë të popullësisë mbi “manipulimet” e këtyre zgjedhjeve. Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali khamenei, e miratoi dje mandatin e dytë katërvjeçar për Presidentin e Iranit, Mahmud Ahmedinexhad. Ahmedinexhad pritet të bëjë betimin të mërkurën. Rizgjedhja për President e Ahmedinexhadit në zgjedhjet e 12 qershorit shkaktoi protesta masive në Teheran dhe qendra të tjera të Iranit. Kandidatët e mundur presidencialë, Mirhosein Musavi dhe Mehdi Karubi, kishin akuzuar institucionet përgjegjëse se janë bërë mashtrime masive gjatë zgjedhjeve. Ndërkohë nga qeveria iraniane, këta reformistë  u kundër-akuzuan për përpjekje në nxitjen e një revolucioni, me të cilin thuhej se synohej të rrëzohej regjimi. Që nga trazirat paszgjedhore në Iran, janë arrestuar më shumë se 100 protestues. Ish-presidentët, Akbar Hashemi Rafsanxhani dhe Mohamad Katami, të cilët mbështetën qëndrimin e reformistëve karshi zgjedhjeve, nuk morën pjesë në ceremoninë e djeshme. Khamenei, ndërkohë, tha se vota “e paprecedent” për Ahmedinexhadin pasqyron mbështetjen e popullit për qeverinë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›