“Shkëmbimi i territorit” rihap debate në Ballkan
Deklarata e një anëtari të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, mbi shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, si zgjidhje e vetme e konfliktit në Ballkan, ka hapur debate në strukturat diplomatike. Dana Rohrabaher tha se zgjidhja e vetme funksionale për stabilizimin e rajonit të Ballkanit do të ishte një shkëmbim territoresh, në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Ne në Amerikë që mbështetëm Pavarësinë e Kosovës u përpoqëm shumë dhe unë jam krenar që isha pjesë e tyre. Por, puna do të quhet e mbaruar vetëm kur në rajon të ketë normalitet, i cili ende nuk është arritur”, ka thënë Rohrabaher në një intervistë për Zërin e Amerikës. Por ish-i dërguari i BE-së për Kosovën, diplomati gjerman, Ëolfgang Petrich tha për BBC-në se edhe shqiptarët, por edhe serbët, duhet të mësojnë se si ta pranojnë diversitetin në shoqëritë e tyre dhe se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është një zgjidhje në kohën e integrimeve evropiane. Sipas tij, kjo ide ndoshta mund të nxiste një dialog më të gjerë rajonal, me përfshirjen e politikanëve dhe të shoqërisë civile në Luginën e Preshevës dhe në Mitrovicë. Pas hapjes së këtij diskutimi kanë reaguar edhe zyrtarët e dy vendeve në konflikt, Kosovës dhe Serbisë. Sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç e ka kundërshtuar këtë mundësi pasi, “nuk ekzistojnë kushtet për një zgjidhje të tillë”. Ndërsa drejtuesit e institucioneve në Prishtinë thonë se nuk ka pasur bisedime në nivel ndërkombëtar për shkëmbim territoresh. Në një intervistë për Radio Kosovën analisti Behlul Beqaj e vlerësoi të dëmshme dhe me pasoja për stabilitetin në Ballkan idenë e kongresistit amerikan për këmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë. Deklarata e kongresmenit u dha një ditë pasi Lugina e Preshevës miratoi, një dokument ku kërkonte shkëputjen nga strukturat serbe, për shkak të sjelljeve jo korrekte të tyre me popullsinë shqiptare në luginë, dhe në një kohë kur në Mitrovicë po funksionojnë prej kohësh strukturat paralele serbe, të cilat duan ta shkëpusin këtë pjesë të vendit për t’ia bashkëngjitur sërish Serbisë. Ideja e ndryshimeve të tjera në hartën e Ballkanit nuk është përkrahur deri më tani nga asnjë diplomat tjetër në botë.