KE nis hetimin kundër ish-UÇK për trafikim organesh
Këshilli i Evropës ka nisur një hetim lidhur me akuzat serbe, sipas të cilave luftëtarët shqiptarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rrëmbyer civilë serbë gjatë luftës në Kosovë dhe kanë shitur organet e tyre. Sipas agjencisë së lajmeve AP, udhëheqësi i këtij hetimi është senatori zviceran, Dik Marti. Gjatë vizitës së tij dyditore në Beograd, Marti pritet të takohet me zyrtarë të drejtësisë dhe ata për krime lufte të Serbisë. “Çfarëdo që të jetë e vërteta, ne na mungojnë 300 deri në 500 njerëz dhe këtë duhet ta kenë parasysh ata që synojnë drejtësi”, tha Bruno Vekariç, zëdhënës i Prokurorisë për Krime të Luftës në Serbi. Këto akuza janë hedhur poshtë nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të cilët thonë se akuzat janë pjesë e propagandës së Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës. Akuzat dolën në pah në librin me kujtime të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte, e cila i referohej citimeve të disa gazetarëve të huaj se ushtarët e UÇK-së kishin marrë rreth 300 civilë serbë dhe i kishin dërguar në Burrel, Shqipëri, në një shtëpi të verdhë ku thuhej se ishin kryer transplantet. Sipas del Pontes, nuk u kryen hetime të detajuara në lidhje me këtë rast pasi mundonin faktet, pas insistimit të Serbisë në instancat ndërkombëtare, Këshilli i Evropës vendosi ta rihapë hetimin. Ndërkohë që Serbia ankohet se i mungojnë në listat e saj 300-500 persona, në Kosovë janë zhdukur pa gjurmë rreth 2500 vetë, procesi i kërkimit të të cilëve ka shumë vite që nuk bën përpara, me gjithë përfshirjen e ndërkombëtarëve.