Mitrovica “jashtë” zgjedhjeve në Kosovë
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të KQZ-së nuk e dinë ende nëse zgjedhjet lokale do të mbahen dhe në veri të Mitrovicës. Sipas “Evropa e Lirë”, nga KQZ-ja në Kosovë konfirmohet se janë emëruar tre zyrtarë ekzekutivë të komisioneve komunale për zgjedhje në tri komunave në veri të Kosovës. Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se janë duke u bërë përpjekje maksimale që zgjedhjet lokale, të përcaktuara të mbahen më 15 nëntor të këtij viti, të mbahen dhe në veri të vendit, zona më problematike për shkak të strukturave nacionaliste paralele të nxitura nga Beogradi, siç shprehen shpesh zyrtarët e sigurisë në Kosovë. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se ende nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje lokale në veri të Mitrovicës. Sipas tij, janë duke u bërë disa analiza, për të vendosur për mbajtjen ose jo të tyre në këtë pjesë të vendit. Gjatë 10 viteve të fundit, pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ka qenë gjithnjë problematike. Beogradi zyrtar ka vlerësuar se nuk ka kushte që serbët të marrin pjesë në to. Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb në Mitrovicë, nuk ka dashur të komentojë fare çështjen e organizimit të zgjedhjeve vendore në veri, duke rikujtuar se serbët assesi nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Megjithatë, ai tha se komuniteti serb në këtë pjesë të Kosovës nuk do t’i pengojë ata që do të marrin pjesë.