E Diel, 1 Nëntor 2026

Han: “Jo futboll total, por praktik”

Intervistë ekskluzive: Pas përfundimit të ceremonisë së prezantimit zyrtar dhe nënshkrimit të kontratës që do ta lidhë trajnerin holandez për 2 vjet me Shqipërinë, "Albania-sport.com', arriti t'i marrë një intervistë ekskluzive Ari Hanit, ku bisedoi me të për temat më të nxehta të Kombëtares.
Zoti Han, së pari urime për detyrën e trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, e treta pas dy eksperiencave të para me Kinën dhe Kamerunin.
Faleminderit. Për të qenë i sinqertë, mbeta i kënaqur me pritjen në Shqipëri.
Më 6 janar do të përcaktohet edhe shorti i grupit tonë eliminator për Botërorin 2010, cilin nga pesë kundërshtarët e Shqipërisë do të dëshironte Han në ndeshjen hapëse?
Për mua do të jetë e rëndësishme, që tre nga pesë ndeshjet e parë t'i luajmë në shtëpi (Shqipëri), ku dhe do të kishim mundësi të bënim më shumë pikë, për të arritur qysh në xhiron e parë një pozicion më të mirë në renditje.
Në ndeshjen e parë të tyre paraardhësit tuaj kanë rezultuar të suksesshëm: italiani Dosena barazoi me Zvicrën (1-1), gjermani Brigel fitoi me Greqinë (2-1) dhe kroati Baric barazoi me Bjellorusinë (2-2) në transfertë. Juve personalisht cfarë rezultati nga ndeshja e parë?
Sigurisht që kjo varet edhe nga kundërshtari, por nëse takimi i parë do të luhej në Tiranë, kushdo që të ishte ai, do të doja rezultat pozitiv. Unë besoj se ne kemi kohën e mjaftueshme për të përgatitur me kujdes dhe për të hedhur në fushë formacionin më të mirë të momentit. Unë shpresoj se pas zhvillimit të ndeshjeve miqësore unë do të kem arritur të njoh shumë mirë lojtarët dhe skuadrën në tërësi.
Ju vini nga një shkollë e madhe futbolli si ai holandez, ku keni arritur të jeni si lojtar edhe nënkampion i Botës, ndërkohë që jeni shpallur disa herë kampion i Europës me Ajaksit. Ndryshe nga ai holandez futbolli shqiptar është më pak i njohur në arenën ndërkombëtare, por për eliminatoret e Euro 2008 e vuri jo pak në vështirësi Holandën në të dy takimet. Cili është opinioni më i ri i trajnerit të Shqipërisë për të dyja skuadrat?
Ndryshimet janë të dukshme, por diferenca është duke u reduktuar shumë. Natyrisht në 40 vitet e fundit Holanda bën pjesë në skuadrat e mëdha, por futbollin njeh rritje cilësore në të gjitha nivelet e skuadrave. Shqipëria ishte shumë mirë në atë ndeshje, nuk luajti aspak keq.
Le të kthehemi pikërisht 40 vjet më parë. Një histori që u lidh edhe me Shqipërinë, keni qenë pjesë e skuadrës së Ajaksit që luajti kundër 17 nëntorit. Cfarë kujtoni?
Unë kam luajtur kundër kampiones së Shqipërisë (17 Nëntorit) në vitin 1970 dhe ende kujtoj se Ajaksi, edhe pse fitoi Kupën e Kampioneve (të edicionit) 1970-1971 vuajti jo pak në Tiranë, kur barazuam 2-2 në një ndeshje vërtet shumë të vështirë dhe u kualifikuam falë fitores në Amsterdam (2-0). Duhet të kujtoni se në atë kohë ishte në kulmin e tij dhe zhvillonte ndoshta futbollin më të bukur në Europë. I kujtoj shumë mirë ato ndeshje. Isha një futbollist i ri asokohe (22 vjec).
Ju njiheni si një kritik i madh i Marko van Bastenit. Përse ky qendrim ndaj trajnerit aktual të Holandës?
Sigurisht që cdo kush ka mendimin e tij dhe gjykimin e tij të pavarur për një trajner të caktuar. Kritikat e mia nuk janë të tanishme, por kanë nisur disa vite më parë dhe unë i kam bërë ato publike dhe në televizionin holandez. Unë ruaj mendimin se ai nuk ka njohuri të mira taktike për vendosjen e lojtarëve, sidomos në vendosjen e Shnajderit, kur ai e vendoste atë në një rol më tepër prapa, ndërkohë që ai mund të jepte më shumë në një pozicion më të avancuar. Gjithsesi, unë kam mendimin tim, ai (Van Basten) ka të vetin.
Shqiptarët presin nga trajneri Han një model të futbollit total, që ju keni aplikuar me Holandën në vitet 1970. Sa i përgatitur është Han për ta aplikuar këtë sistem me Kombëtaren shqiptare?
Së pari më duhet në detaj cilësitë dhe kualitetin e lojtarëve, dhe pastaj do të vlerësoj se nëse ia vlen të përpiqem ta aplikoj atë apo jo. Nga eksperiencat e mia të mëparshme si trajner i ekipeve kombëtare (Kinë dhe Kamerun), duhet të kesh një grup të përgatitur shumë mirë fizikisht, por dhe të kesh lojtarë goli.
Kjo varet edhe nga kundërshtari ndaj të cilit do të luash. Holanda e viteve 1970 kishte një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh dhe mund ta realizonte atë.
Shqipëria vuan nga mungesa e finalizimit, a do ta vendosë theksin në sulm Ari Han?
Rezultatet pozitive vinë vetëm kur shënon dhe unë do të punoj shumë për këtë aspekt. Jam në dijeni të statistikave të lojtarëve kryesorë të Shqipërisë dhe unë do të preferoja më shumë një futboll praktik.

Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›