Të djathtët në Këshill kërkojnë shkarkimin e Ramës
Kundërshtojnë të majtët. Rama sulmohet sepse shkoi në Kosovë Ditën e Flamurit
Grupi i këshilltarëve të PD-së i kërkoi Këshillit të Bashkiak të Tiranës në mbledhjen e djeshme, shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit të Bashkisë, Edi Rama, për mungesë respekti ndaj simboleve kombëtare.Sipas kreut të këshilltarëve demokratë Ferdinand Pone, Rama ka thyer rëndë Kushtetutën, duke mos zbatuar ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” në ditën e Flamurit. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në një veprim të papërgjegjsshëm përjashtoi kryeqytetasit nga festa, duke ndaluar çdo lloj veprimtarie festive të bashkisë dhe duke e përjashtuar Tiranën nga çdo lloj dekorimi e zbukurimi për festën më të madhe të shqiptarëve, për festën e mbarë shqiptarëve”, deklaroi Pone. Por nuk ka qenë të këtij mendimi këshilltarët e majtë. I pyetur nga gazeta “Shekulli” lidhur mbi kërkesën e drejtuar nga këshilltarët demokratë, kreu i grupit të këshilltarëve socialistë Besnik Bare, u shpreh se kjo kërkesë është alogjike dhe e pabazuar në ligj. “I gjithë qëllimi i kërkesës është heqja e vëmendjes nga hallet që po kalon sot populli shqiptar për shkak të keqqeverisjes së djathtë. Rama po sulmohet sepse ishte ai që shkoi në Kosovë, ishte ai që organizoi festat madhështore në tre kryeqytete njëherësh. Rama po sulmohet po kështu për punët që ka bërë në kryeqytet, dhe unë këtu shikoj të gjithë qëllimin absolutisht të errët të kërkesës së këshilltarëve demokratë”, u shpreh Bare.