Han: Më pëlqen jeta në Shqipëri

Me kalimin e kohës, holandezi duket se është ambientuar me punën në krye të skuadrës kuqezi dhe me mentalitetin shqiptar.
Në fillim të vitit 2008, kur pranoi detyrën, Han e njihte fare pak vendin tonë. Por, tashmë ai ka krijuar një ide më të plotë dhe pohon se jeta këtu është krejt ndryshe nga ajo që mendonte. “Jeta në Shqipëri është më mirë nga sa e kisha menduar.
Është një vend mesdhetar dhe ka klimë mjaft të mirë. Sigurisht që vendi nuk gëzon një emër të mirë, por po punohet shumë për t’u përmirësuar”.
Në deklaratën e tij për “De Telegraph”, tekniku foli edhe për lehtësitë që i krijon federata (FSHF) për të punuar sa më mirë.
“Ata më lejojnë të bëj punën time sa më mirë”, tha ai. “Mund të ishin edhe pak më profesionalë, megjithatë, këto gjëra bëhen hap pas hapi. Ndonjëherë ndodhin edhe gjëra të pazakonta. Për shembull, në hotelet ku grumbullohemi, pjesëtarë të bordit drejtues ose gazetarët takohen lirshëm me futbollistët dhe kjo cilësohet më se normale, pasi flitet për ndeshjet e radhës dhe jepen intervista”.
Pavarësisht rezultateve mjaft të mira në eliminatoret e Botërorit 2010, Ari Han nuk dëshiron të përqendrohet shumë tek ëndrra për të arritur në aktivitetin që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut.
“Duhet të përqendrohemi që të luajmë futboll të thjeshtë dhe të bukur dhe të mos mendojmë vetëm për shanset e kualifikimit. Gjithsesi, për kundërshtarët jemi një skuadër mjaft e vështirë”.