E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portugalia: Shqiptarë, na ndihmoni në eliminatore

Barazimi historik i Shqipërisë në sfidën e 15 tetorit në Braga është shoqëruar me mjaft episode interesante.

Një prej tyre ishte kërkesa e krerëve të Federatës Portugeze që kuqezinjtë t’i ndihmonin në grupin eliminator të Botërorit 2010, duke luajtur fort përballë kundërshtarëve direktë të luzitanëve (Danimarkës dhe Suedisë).

Në drekën zyrtare të organizuar vetëm pak orë përpara ndeshjes që përfundoi në barazim 0-0, ku të pranishme ishin të dyja delegacionet, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zhvilloi një bisedë të gjatë me homologun e tij, Gilbert Madail.

Aty nuk mungoi as kërkesa për ndihmë, pavarësisht se skuadra e yjeve, e drejtuar nga Karlos Kueiroz, cilësohet si një prej më të fortave në botë. Burime pranë përfaqësueses treguan për “Shqip”: “Gjatë drekës zyrtare, presidenti i federatës portugeze (Madail), i kërkoi presidentit Duka që Shqipëria ta ndihmonte Portugalinë. Në çfarë mënyre? Duke luajtur fort me dy skuadrat e tjera të grupit tonë eliminator, Danimarkën dhe Suedinë, të cilat janë rivale direkte të portugezëve në garën për t’u kualifikuar”.

Sinjali SOS ka ardhur edhe për shkak të fillimit të keq të ekipit ku luajnë Kristiano Ronaldo, Kuarezma, Deko e shumë yje të tjerë, që në tri ndeshjet e para kishin grumbulluar vetëm 4 pikë (1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje).

Mjaft origjinale përgjigjja e kreut të futbollit shqiptar, i cili, pasi e kishte siguruar homologun se Shqipëria luan fort me kundërshtarët e mëdhenj, i kishte “premtuar” se të njëjtën gjë do të bënte edhe me Portugalinë.

Madje, se të mërkurën, do t’i merrte skuadrës së Kueiroz një rezultat pozitiv (ashtu sikurse ndodhi). “Kërkesës së pazakontë Duka iu përgjigj se Shqipëria ka luajtur gjithmonë fort, madje se e ndihmoi Portugalinë, duke i marrë Suedisë barazimin 0-0 në Tiranë, në sfidën e parë eliminatore, vazhdoi burimi.

Më tej, ai i tha presidentit Madail se të mërkurën kuqezinjtë do të ‘ndihmonin’ skuadrat e tjera të mëdha në grup, duke marrë rezultat pozitiv në Braga.

Dhe kështu ndodhi, në fund të 90 minutave, Shqipëria u largua nga fusha me 1 pikë historike, duke futur në krizë luzitanët”.

Madail

Presidenti i Federatës Portugeze u largua nga stadiumi “Municipal” i Bragas gjashtë minuta përpara fundit të lojës së rregullt.

Kjo ngriti spekulimet se i zhgënjyer nga barazimi pa gola dhe nga loja e skuadrës, ai do të merrte masa të ashpra.

Por Madail shpjegoi: “Edhe pse nuk më pëlqeu ai rezultat, nga stadiumi u largova për nevoja fiziologjike”. Në fund nuk munguan vlerësimet për Shqipërinë: “Barazuam një ndeshje që realisht duhej ta kishim fituar.

Megjithatë, Shqipëria është rritur shumë në vitet e fundit, ata dinë të luajnë me topin, janë të fortë në mbrojtje dhe pozicionohen mirë në fushë. Duhet thënë se lojtarët tanë ia bënë më të lehtë ndeshjen, ishte një mbrëmje e keqe”.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›