E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjan Beqaj, futbollisti më i mirë i vitit

Portieri shqiptar i Anorthosis, Arjan Beqaj, ka marrë çmimin "Futbollisti më i mirë i vitit" në Qipro, pasi ka qenë thuajse i pagabueshëm në paraqitjet e këtij sezoni. Pas çmimit "portieri më i mirë" në edicionin e kaluar, tani Beqaj ka siguruar një vlerësim edhe më prestigjioz, duke u shpallur futbollisti më cilësor i këtij kampionati. Përzgjedhja e portierit të Kombëtares shqiptare ka ardhur pas votimit të mediave sportive, trajnerëve dhe tifozerisë qipriote, që ka vlerësuar punën e Beqajt gjatë sezonit ku Anorthosis iu kthye titullit kampion. Megjithatë, portieri shqiptar ka bërë të qartë se gjëja më e rëndësishme në këto momente është sigurimi i trofeve me skuadrën, ndonëse trofetë individualë të japin një kënaqësi të veçantë. "Është një çmim i rëndësishëm për mua, është një ndjenjë e mirë, si për çdo futbollist. M‘u shpërblye puna dhe angazhimi i këtij sezoni. Por për mua më shumë kanë rëndësi titujt që i fitoj me Anorthosis. Çmimet personale i vë në plan të dytë", u shpreh Beqaj në një prononcim për gazetën kosovare "Express". Anorthosis e ka siguruar që në javën e kaluar titullin kampion, por gardiani i kësaj skuadre tregon se objektivi i klubit është të mbyllë sezonin pa humbje. "Javën e kaluar barazuam dhe nuk luajtëm me ritëm të njëjtë, pasi e kishim mësuar që një ditë më parë se ishim shpallur kampionë. Siç e dini, në play-off luajmë kundër 3 skuadrave më të mira të kampionatit. Mirëpo, ne nuk guxojmë të shpërqendrohemi, do të luajmë siç dimë deri në fund për ta mbyllur sezonin të pamposhtur", vijoi ai, duke bërë të qartë dëshirën për të fituar çdo trofe të mundshëm me skuadrën gjatë këtij edicioni ku Anorthosis ka treguar se është ekipi më i mirë. "Anorthosis çdo vit synon të fitojë diçka. Nëse ky klub e përfundon sezonin pa fituar asgjë, ai sezon konsiderohet i dështuar. Gjithashtu çmimi MVP do të më japë më shumë motiv për të ardhmen, por siç e thash, më shumë kanë rëndësi trofetë që merr klubi. Jemi kualifikuar në gjysmëfinalet e Kupës së Qipros. Ky është një tjetër synim i yni, i cili do ta bënte sezonin tonë perfekt", përfundoi ai. Arjan Beqaj është në planet e trajnerit Han për Kombëtaren dhe do të vazhdojë të mbrojë portën kuqezi edhe gjatë këtij edicioni. Trajneri holandez ka bërë të qartë që në ditët e tij të para në stolin kuqezi ka besim të plotë te portieri që aktivizohet në kampionatin qipriot.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›