E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Policia provokoi, demonstratat do të vazhdojnë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 22-01-2011 10:00

Humbja e tre jetëve në demonstratën e djeshme, jo vetëm që nuk ka zbrapsur opozitën, por i ka dhënë më shumë zemër asaj që të çojë më tej këtë betejë, deri në dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në daljen e fundit për mediat, gjatë ditës së djeshme, ka bërë të ditur se opozita do të rinisë demonstratat deri në largimin e qeverisë, menjëherë pasi të përcjellë për në banesën e fundit dhe të mbaj një ditë zi, për viktimat e rrëmujave të djeshme. “Opozita nesër e ka ditë zije, Shqipëria që nuk jeton në oborrin e kusarëve dhe matrapazëve të pushtetit të vjedhur, nesër e ka ditë zije. Por pasi të nderojmë të vrarët, në një demonstratë për lirinë dhe drejtësinë, e siguroj Saliun se do të na ketë përballë, me gjithë përgjegjësinë historike dhe qytetare që i imponon largimin e kësaj qeverie, e cila nuk është qeveria e shqiptarëve të zakonshëm, por i një regjimi të patolerueshëm”, - tha kreu socialist, Edi Rama. Por ndryshe nga demonstrata e djeshme, Rama ka bërë të ditur se në tubimet e ardhshme do të jetë vetë në krye, për të udhëhequr popullin opozitar. “Unë dhunën e kam njohur në trupin tim, falë gangesterëve të Saliut në ‘97. Por nuk e kam as në gjakun, as në mendjen dhe as në ëndrrën time. Do të jem në krye të demonstratave, që do të rifillojnë pas ditës së zisë, dhe përuljes para jetëve të pafajshme që humbën prej plumbash të shkrepur prej dorës së pushtetit dhe do t’i tregojmë Saliut dhe kujtdo tjetër, se pa dhunë, por me zemër dhe trupin e vet, njeriu mund të mposhtë edhe pushtetin më barbar dhe jo më një qeveri të marrë fund”, - u shpreh Rama. Nga ajo që shprehu edhe vet kreu socialist, demonstratat pritet të vijojnë vetëm të dielën, pasi ditën e sotme opozita e ka shpallur si ditë zie, në respekt të viktimave të ditës së djeshme. Ndërkohë që në daljet e tija të mëparshme, gjatë ditës së djeshme, kreu socialist i ka mëshuar fortë bindjes së tij, se e gjithë ajo që ndodhi dje në Bulevard, erdhi si pasojë e provokimit të policisë. “Është në sytë e të gjithëve fakti që demonstrata u provokua. U provokua rëndë, pa u lënë të gjithë ata që kishin ardhur për të demonstruar, as të sistemoheshin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Populli që kishte ardhur qetësisht dhe që siç u pa, lavdi Zotit, nuk kishte as armë dhe as municione, po kishte thjesht dhe vetëm zemërimin dhe nevojën për të ngritur lart zërin e një Shqipërie, që nuk i nënshtrohet regjimit të kusarisë dhe matrapazllëkut”, - tha Rama, në një prej daljeve të tija për mediat. Ndaj ai ka akuzuar qeverinë se ka keqpërdorur forcat e policisë, duke gjuajtur me armë ndaj njerëzve që sipas Ramës kishin ardhur për të protestuar në mënyrë paqësore. “Shqipëria mbarë po e sheh sjelljen barbare të forcave policore, që pas përpjekjeve intensive të të gjithëve ne, për të qetësuar këdo që mund të qetësonin, u lëshuan mbi ata që qetësisht po largoheshin dhe mbi qytetarë të pafajshëm, duke mësyrë deri dhe në mjedise private, përballë godinës së atij që quhet Kryeministri i Shqipërisë, por që fatkeqësisht është thjesht dhe vetëm përfaqësuesi i një koalicioni turpi, që sot ka lyer duart me gjak shqiptarësh të pafajshëm”, - tha më tej Rama. Duke iu referuar pikërisht vrasjeve të ndodhura në këtë demonstratë të dhunshme, shefi i opozitës ka kërkuar hetimin e menjëhershëm të gjithë asaj që ndodhi dje në shesh. “Apeli im është që të gjitha organet e drejtësisë të vihen në lëvizje për të bërë ekspertizat profesionale, për ato krime të ndodhura sot (dje), që janë krime mirëfilli shtetërore dhe që nuk mund të mbulohen dhe as të treten si uji në rërë, me deklarata të papërgjegjshme, si ato që po dëgjojmë”, - theksoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›