E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hana: Shërbime shëndetësore falas edhe në privat



Shërbimet falas që sigurohen në shtet

Kujdesi shëndetësor parësor i specializuar, kujdesi spitalor, barna, aksesorë, furnizime sekondare dhe kushtet për pagesën e transportit mjekësor

Pacientët e siguruar do të mund të përfitojnë shërbime shëndetësore falas edhe në klinika private. Drejtorja e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Elvana Hana, ka konfirmuar se ISKSH-ja ka nisur punën për hartimin e një pakete me shërbime shëndetësore që do t’u ofrohen falas pacientëve të siguruar në klinika apo spitale private.

Skema

Me hyrjen e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore drejtorja e ISKSH-ja ka sqaruar së fundmi se po punohet për përfshirjen në këtë skemë edhe të ofruesve privatë të shërbimeve. Ndërkohë që problemi më shqetësues duket se mbetet përfshirja e këtij vendimi në ligj. Sipas Hanës, është e domosdoshme që të parashikohet në ligjin për sigurimin shëndetësor.

“Përfshirja e privatëve është një domosdoshmëri, sepse sjell edhe kosto më të ulëta dhe konkurrencë, por për momentin ekziston problemi i mosakreditimit të klinikave dhe spitaleve private që përbën edhe një rrezikshmëri të madhe për pacientin”, - shprehet drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana.

Më tej Hana vijon duke sqaruar se do të ketë një paketë shërbimesh që do t’u jepet falas në klinikat private personave të siguruar.

Shërbimet

Aktualisht ekziston një paketë e sigurimit të detyrueshëm që përfshin mallra dhe shërbime shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor, kujdesin shëndetësor të specializuar, kujdesin spitalor, barna, aksesore, furnizime sekondare dhe transportin mjekësor.

Personat që paguajnë sigurimet shëndetësore, do të përfitojnë këto shërbime falas, në të kundërt, do të paguajnë për to, me përjashtim të shërbimit të urgjencës. Gjithashtu edhe lista e barnave te rimbursueshme është pjesë e paketës dhe hartimi i saj i besohet një komisioni teknik, i caktuar nga drejtori i përgjithshëm dhe i miratuar nga Këshilli Administrativ.

Ndërsa sigurimi suplementar lidhet tërësisht me tregun privat. Është vendosur që sigurimi suplementar të mos jetë i njëjtë me sigurimin e detyruar. Shërbimin bazë do ta financojë vetëm sigurimi i detyrueshëm, kurse sigurimi suplementar do të jetë një sigurim komplementar i cili do të marrë përsipër të financojë ose të blejë ato shërbime të cilat nuk i mbulon fondi bazë e që janë të përcaktuara.

Hapet “Zyra Tirana” për varësinë nga droga

Dukuria e konsumimit të drogave të ndryshme nga rinia shqiptare, e rendit vendin tonë në nivelet evropiane. Trendi i pirjes së drogave të reja apo të vjetra është në rritje. Ky fakt u bë i ditur nga përfaqësues të agjencisë së Bashkisë së Romës për toksikodipendencën dhe ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia, gjatë çeljes në Tiranë të zyrës për vartësinë nga droga, e cila do të funksionojë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

Saba D’Elia

“Ky është një manifestim konkret që Italia tregon afërsinë dhe sensibilitetin për Shqipërinë, për këtë arsye, Ministria e Jashtme italiane ka ofruar ndihmën e saj ekonomike në mbështetje të projektit me një kontribut prej 770 mijë eurosh, mbi një kosto totale të projektit prej 870 mijë eurosh”.

Kjo zyrë do të ofrojë asistencë për të rinjtë në rrezik edhe në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. Nënkryetari i saj u shpreh se duhet të luftojmë sa më shumë këtë dukuri.

Shalsi: “Nuk ka qytete të shëndetshme pa të rinj të shëndetshëm. Ne duhet të luftojmë këtë fenomen”.

“Zyra Tirana” do të orientojë të rinjtë në rrezik se ku duhet të drejtohen, ndërsa do të sensibilizojë komunitetin mbi substancat narkotike, rreziqet, mënyrën e marrjes si dhe varësinë që krijohet nga drogat.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›