E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndëshkim me gjobë subjekteve që shkaktojnë ndotje

05/03/2009  Bashkia e Tiranës

Ndotja e ambientit do të ndëshkohet me gjobë. Kjo është nisma e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për mbrojtjen e ambientit nga niveli i lartë i ndotjes që shkaktohet, kjo veçanërisht në pikat ku aktualisht po realizohen ndërtime si dhe rikonstruksione të ndryshme. Kështu, të gjitha subjektet apo individët që do të ndikojnë në ndotjen e ambientit nëpërmjet ushtrimit të veprimtarisë së tyre do të ndëshkohen me gjoba financiare. Drejtoria e Kontrollit mbi Territorin në këtë institucion tashmë ka përcaktuar dhe masat penalizuese që do të merren për rastet abuzive që do të konstatohen në kryeqytet. Kjo drejtori ka detajuar dhe listën përkatëse të shkeljeve, të cilës i bashkëngjiten edhe vlera e penalizmit financiar që do të detyrohen të paguajnë për çdo lloj dëmtimi që do të shkaktojnë në hapësirën publike. Kufiri i përcaktuar për gjobat do të arrijë nga 2000 deri në 100 000 lekë të reja, kjo në varësi të shkeljes dhe dëmit të shkaktuar në ambient. Sipas planit të përcaktuar është vendosur që ndotja me baltë e rrugëve apo e trotuareve gjatë transportit të lëndëve të para apo punimeve në kantieret e ndërtimit do të jenë të parat në penalizimet që do të vendosen. Ndërkohë zbatimi i këtyre masave pritet fillimisht ndaj kompanive të mëdha të ndërtimit, të cilat rezultojnë të shkaktojnë edhe ndotje të lartë në ambient. Megjithatë, masat e propozuara parashikohet të merren kundrejt çdo subjekti, qoftë ky subjekt i madh apo veprimtari e vogël tregtare. Gjatë ditëve në vijim pritet të detajohet lista e plotë e ndëshkimeve që do të jepen për të gjitha rastet dhe llojet e shkeljeve që do të evidentohen. Për zbatimin e kësaj mase, inspektorët e këtij institucioni do të monitorojnë në mënyrë të veçantë ato zona ku kryhen punime.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›