Vrau vëllanë në bashkëpunim me gruan, e shiti si vetëvrasje
Vret vëllanë në bashkëpunim me gruan dhe mundohet me të gjitha mënyrat e mundshme që krimin ta shesë si vetëvrasje. Por, mbulimi i krimit zgjati vetëm pak ditë, pasi hetimi ka nxjerrë se nuk kemi të bëjmë me një akt vetëvrasës, por me një krim brenda familjes, i cili ka dy autorë, vëllanë dhe kunatën e viktimës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Gjirokastrës, falë një hetimi 2-javor nga agjentët e Sektorit të Vrasjeve, rezultoi se Adriatik Skënderi nuk kishte vrarë veten, por ai është qëlluar për vdekje nga vëllai i tij, Dritani, i cili mbeti edhe vetë i plagosur. Ngjarja ndodhi para 12 ditëve në fshatin Lazarat të rrethit të Gjirokastrës. Hetuesit duket se nuk i bindi rrëfimi i bërë nga 36-vjeçari dhe pas dëshmive të marra dhe nga familjarët e tjerë dhe personat që kishin lidhje me ngjarjen, ata kanë zbardhur të vërtetën. Të gjendur përballë një situate të tillë, agjentët menjëherë vunë në pranga Dritan Skënderin, 36 vjeç dhe bashkëshorten e tij, 26-vjeçaren Refike Gjini, që të dy, lindur dhe banues në fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër. Sipas burimeve nga policia, ndalimi i tyre u bë pas një pune intensive hetimore nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit. Hetuesit kryen veprimet procedurale me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, ku këqyrën vendin e ngjarjes në fshatin Lazarat, ekspertizën dhe këqyrjen e kufomës.
Ngjarja
Sipas policisë, ka rezultuar se në datën 22 shkurt 2009, rreth orës 00:15, Dritan Skënderi në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Refike Gjini, ka vrarë me armë zjarri, pas një konflikti për motive të dobëta në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Lazarat, vëllain e tij, Adriatik Skënderi. Nga veprimet hetimore është bërë i mundur dhe sekuestrimi i armës së krimit, automatik model 56. Pas ngjarjes, i vëllai i tij deklaroi në polici se viktima ishte përballur këtë fundjavë me një gjendje të rënduar psikologjike. “Adriatiku po kalonte një situatë depresive që po i sillte dëshirën për të mos e jetuar më pjesën tjetër të jetës së tij. Fillimisht ai ka pirë disa gota pije alkoolike. Pas mesnate është kthyer në shtëpi dhe aty ka kryer edhe vetëvrasjen”, - kishte deklaruar i vëllai i tij, Dritani. Sipas deklarimeve të dhëna, 36-vjeçari ishte përpjekur ta bindë vëllain, që të mos e ndërmerrte aktin e vetëvrasjes. Por, sipas deklaratave të Dritanit, ai kishte tentuar ta shpëtonte, por në përpjekje për të bërë një gjë të tillë, është plagosur edhe vetë. Por, për policinë e vërteta ishte tjetër. Pas sherrit për motive të dobëta, së bashku me gruan e tij, Dritani ka qëlluar të vëllanë duke e lënë të vdekur. Në përleshje e sipër është plagosur edhe vetë, por pa rrezik për jetën. Tashmë, sipas policisë së Gjirokastrës, dy të arrestuarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje, e kryer në bashkëpunim”.