E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango thjesht bëri qindin, 99-n e gjeti mes nesh



Nga Zamir Gjurgji

Skandali që përfshiu ish ministrin e Kulturës…, z. Ylli Pango, edhe pse pushtoi faqet e para të shtypit të shkruar dhe ishte top-lajmi për shumë media vizive, nuk ngjan me një rrufe në qiell të hapur, edhe pse është një nga aktet më të pështira që tejkalon çdo ndjesi normale të botës njerëzore. Përkundrazi, mund të shihet si më tipik ku botën njerëzore dhe atë shtazore i ndan vetëm një qime floku.

Por duke iu kthyer edhe një herë thelbit të skandalit, amoralitetit që mbizotëron në atë pjesë të shoqërisë politike shqiptare, ku poltroni i zyrtarit me pushtet kthehet një mjedis komod për shfrehje shtazore, sepse spangoja “rozë” e Pangos u këput, po në sa e sa raste gjinia femërore ndeshet me një fenomen të tillë ku eprori i jep të drejtën vetes të presë me gërshërë fatin e vartëses. Deri këtu është kryekëput amoralitet, e cila është një dukuri me precedent vendor, rajonal, kontinental e transkontinental. E rasti Levinski është prototip, por jo i vetmi.

Gjithsesi, në shoqërinë shqiptare ndodh edhe një dukuri edhe më e rëndë, edhe më unike. Në Shqipëri, bulçitë e imoralëve klasikë janë ato që fryhen më shumë ndaj amoralitetit të të tjerëve. Shqipëria është vendi ku boritë e imoralitetit me tinguj cingëritës shkaktojnë ndotje akustike dhe publike; që thërrasin kapeni hajdutin, e nën xhaketën e "radikalëve shik" (siç i quan Indro Montaneli) fshehin bukurisht mallin apo edhe çekun e bardhë, për "me gjujt" mish të bardhë.

Shqipëria është rasti më tipik ku “soc-civilët” e konsiderojnë moralin si tabu të prapambetjes, ku virgjëria femërore është një turp që nuk mund të kapërdihet në prag-adoleshencë, ku përtej të majtës e të djathtës nuk kalohet vetëm politikisht, ku lart e poshtë nuk bridhet vetëm për elegji mjaftiste, por edhe për orgji kolektiviste. Ja pra, në Shqipëri ndodh ndryshe, ku klonet e Veltronit dhe Roza Diesit, duket se harrojnë se motoja e tyre ka qenë dhe mbetet “Të votosh, është seksi”, që simbolin e demokratëve me dy gishta lart e kanë kthyer kokëposhtë, përmbys. Dhe kjo është e qartë. Nuk ka nevojë që klonet 99-sha shqipfolës të “Basta Ya”-së, të kryqëzojnë Pangon apo të kërkojnë gjethe fiku për të. Mjafton të kryqëzojnë dishepullin e tyre, Edvin Rama, me apo gjethe fiku, e t’i lënë të qeta breshkat ne selinë-qelë të tij. Sepse nëse duan të kërkojnë amoralitetin, atë mund të gjejnë në moton e tyre publike; nëse janë ekzigjentë në të, do ta gjejnë së paku te një prej posterave të tyre jo vetëm elektoralë; nëse hulumtojnë për të gjetur amoralitetin, atë do ta gjejnë me shumicë e pakicë pas e para shkurreve jo fort të dendura të Pezës; e nëse duan t’i shkojnë deri në fund rebusit “moral-amoral”, atë do të gjejnë shtruar shesh-besh tek ata vetë, tek motoja tipike e zanatit më të lashtë të kësaj bote, ku zanatçia më e kualifikuar akuzon me zë të lartë “antonimën” dhe veten e gjen të larë me ujë pusi, si ai i Bab Mysos. E kësaj mor lum miku i thonë imoralitet jo vetëm seksual, por çka është më e dhimbshme, ideologjik e psikik, sepse shoqëria dhe individi nuk hapet, por shqyhet, shkopsitet deri sa shkokolepset. E si pa dashje, shprehja lapidare e Migjenit të qindvjeçarit të shkuar “Na birt e shekullit të ri, që plakun lamë në shenjtin e tij”, për 99-shat jo vetëm të Erionit të “Mjaftit” dhe të Ramës së Maklenëve, Miklenëve, Mirkenë, Marenglenëve dhe shumë mik-makësh e mish-mashësh në radhë, update-ohet, refresh-ohet, rinorizohet, progreson në “na bijtë e bijat e mileniumit të ri, që edhe plakun e lëmë pa shenjtëri”. Dhe Pango, duket se i takon “rrethanorit të mënyrës”. Një yll ky që u shua jo se bëri 99 të pabëra, por vetëm se bëri qindin... Sepse marsi nuk është ‘paco’ vetëm për yllin që u shua, por dhe për “yjet e pashuar” që feksin ende vagëllimthi dhe ëndërrojnë syhapur për një mijë e një net polare...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›