Hanin e ndjek tersi. Polonia drejt dështimit
Holandezi Ari Han, ish-trajneri i Kinës dhe Kamerunit, sot në krye të bankinës së Shqipërisë, duket se është njeriu më i pafat në botë. Të paktën me kombëtaren shqiptare, po. Pas anulimit dy miqësoreve me Arabinë Saudite e Moldavinë, për shkak të pezullimit ndërkombëtar të Shqipërisë nga FIFA e UEFA, edhe ajo me Poloninë, e programuar për më datë 27 maj 2008 është thuajse e dështuar. Lajmi për Albania-sport konfirmohet nga zyrtarë të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët theksuan se koha për organizimin e asaj ndeshje është thuajse e pamfjatueshme. Kjo është hera e dytë që Shqipëria është në prag të anulimit për faj të saj (jo për shkak të FIFA-UEFA), duke marrë në konsideratë edhe anulimin e ndeshjes së miqësores me Azerbajxhanin, më 7 shkurt. Atëherë, ishte holandezi Han, i cili kërkoi moszhvillimin e ndeshjes, duke preferuar në vend të saj nisjen e një turi udhëtimesh për të parë nga afër lojtarët kuqëzinj në Europë, si Lorik Canën (Francë), Ervin Skelën, Altin Lalën, Emdond Kapllanin (të tre në Gjermani), Kristi Vangjelin e Enea Koliqin (të dy në Greqi) e së fundi me udhëtimin e tij në Ukrainë. Në kampionatin polak me Lodz luan kosovari Labinot Haliti, një i preferuar i ish-trajnerit kroat të kombëtares sonë, Oto Bariçit. Nëse ndeshja do të zhvillohet holandezi Ari Han do të jetë trajneri i shtatë i përfaqësueses shqiptare që do të përballet me Poloninë në ballafaqimin e 11-të midis dy kombëtareve respektive, përfshirë ndeshjet zyrtare dhe ato miqësore. Han do të jetë gjithashtu, trajneri i tretë i huaj në bankinën e Shqipërisë që do të përballet me Poloninë, pas hungarezit Miklosh Vadas dhe gjermanit Hans Peter Brigel. Ballafaqimi i fundit me Poloninë ka qenë një ndeshje miqësore, e zhvilluar më 29 maj 2005 në Szczecin dhe të humbur 1-0.
Han i kënaqur nga lojtarët në Ukrainë
Trajneri i Kombëtares, holandezi Ari Han, iu komunikoi drejtuesve të FSHF-së, se kishte mbetur shumë i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve shqiptarë, të cilët u aktivizuan në ndeshjen Vorskla Poltava-Krivbas (2-1) në kampionatin maksimal ukraianas. Dallku e Curri u aktivizuan për Vorsklën, ndërsa për Krivbasin luajtën Hidi, Bulku e Bylykbashi. Lajmi bëhet i ditur nga shefi i shtypit në FSHF, Tritan Kokona. Në atë ndeshje, mesfushori i njohur i Kombëtares sonë, Debatik Curri, realizoi për Vorsklën (me penallti), dhe po me të njëjtën mënyrë, shënoi edhe Dorian Bylykbashi për Krivbasin.
FSHF çon Statutin e saj në Gjykatën e Tiranës
Pas arritjes së marrëveshjes në zyrën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi midis ministrit të TKRS-së, Ylli Pango dhe kreut të FSHF-së, Armand Duka, për firmosjen e Statutit të FSHF-së (me ngrirjen e nenit 53) nga ana e Pangos, dje u bënë edhe hapat e parë drejt plotësimit të detyrave të lëna nga dy organizmat e lartë ndërkombëtarë të futbollit, FIFA e UEFA.
“Albania” mësoi nga burime të afërta me presidentin Duka, se FSHF-ja çoi në Gjykatën e Tiranës për të regjistruar Statutin e institucionit shiptar të futbollit. Pas këtij regjistrimi, ashtu edhe siç është lënë detyrë, si MTKRS-ja ashtu dhe FSHF-ja do të informojnë FIFA-n e UEFA-n, për të nisur edhe procedurat e heqjes së pezullimit ndërkombëtar të Shqipërisë, që i kushtoi asaj anullimin e dy miqësoreve për Kombëtaren A (Arabinë Saudite e Moldavinë) dhe një takimi zyrtar të Shpresave me Greqinë U-21.
22 Prill 2008