Inflacioni, BSH: “Rritja e çmimeve do të vazhdojë”
Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe mallrave të tjera të konsumit në tregjet tona do të vazhdojë. Alarmi është dhënë dje nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, gjatë prezantimit të “Raportit vjetor të BSH-së për vitin 2007”. Ai ka deklaruar se kriza botërore e ushqimeve do të ndikojë në ekonominë tonë dhe se rrezikohet një rritje e mëtejshme e inflacionit. Në këto kushte, kreu i BSH-së i ka sugjeruar qeverisë që të marrë masa për të zhvilluar sektorin e bujqësisë, si e vetmja mënyrë për të minimizuar efektet negative të kësaj krize. “Bujqësia në vendin tonë vlerësohet si një nga sektorët kryesorë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Presionet në ekonomi nga kriza botërore e ushqimeve janë shtuar, ndaj në këto kushte, zhvillimi i bujqësisë është e vetmja mënyrë për të zbutur rritjen e çmimeve”, - deklaroi guvernatori Fullani. Sipas tij, “kriza do të vazhdojë për një periudhë afatmesme dhe duhen masa urgjente për strukturimin e bujqësisë. Presionet në kahun e ofertës do të shtohen dhe kjo do të ndikojë në inflacion”. Kreu i BSH-së tha gjithashtu se, “po monitorohet me kujdes situata”. Duke lënë të kuptohet se për momentin nuk do të ketë ndërhyrje të institucionit mbikëqyrës bankar, nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit për lekun. Përveç krizës botërore të ushqimeve, inflacioni në vendin tonë rrezikohet dhe nga faktorët e brendshëm. Të tillë janë shumëfishimi i efekteve negative nga rritja e çmimit të energjisë dhe fluksi i madh i investimeve publike të parashikuara këtë vit, të cilët do të ushtrojnë presione mbi këtë tregues, duke shkaktuar rritjen e mëtejshme të kostos së jetesës në vend. Gjatë muajit të kaluar, inflacioni arriti nivelin alarmant 4.6 për qind, duke tejkaluar objektivin e vendosur nga BSH-ja. Kjo e fundit ka parashikuar që këtë vit ky tregues të luhatet në kufijtë e 3 përqindëshit, me një normë tolerance plus/minus 1 për qind.
23 Prill 2008