Sindikatat: Ministria e Arsimit të rimbursojë librat
Sindikatat e arsimit kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit që të kompensojë vlerën e librave shkollorë për nxënësit e shkollave nëntëvjeçare, si një masë për të parandaluar analfabetizmin. Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës (FSASH) dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar (SPASH) i rekomanduan ministrisë që të përdorë fondin përkatës të parashikuar në buxhetin e shtetit për kompensimin e vlerës së librave shkollorë, ekskluzivisht për prindërit e nxënësve të arsimit bazë 9-vjeçar. “Për ata nxënës analfabetë që, në sajë të përpjekjeve janë rikthyer në punë, të përballohet dhënia e librave falas dhe një minimum shpenzimesh për mjete të tjera shkollore, përfshirë uniformën”, - theksoi kreu i FSASH, Dobrusha. Ndërkohë që menjëherë reagoi edhe Ministria e Arsimit, e cila deklaroi se “MASH-i i mirëpret rekomandimet e sindikatave të arsimit për mbështetjen e prindërve të nxënësve të arsimit bazë 9-vjeçar dhe kompensim të librave shkollorë ekskluzivisht për këta nxënës”. Zëdhënësja e kësaj ministrie, Ermelinda Muho, tha se të gjitha kërkesat do të shqyrtohen edhe me grupet e tjera të interesit, si mësuesit, prindërit dhe nxënësit dhe shpejt ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, do të bëjë të ditur për publikun vendimet që do të merren. “Sindikatat e Arsimit mbeten partnerët tanë në realizimin e reformave në arsim dhe ne vlerësojmë shumë rolin e tyre si përfaqësuese të interesave kolektive të mësuesve, por edhe të nxënësve dhe prindërve të tyre”, - theksoi Muho.