E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një problem me ideologjinë



Kohët e fundit disa analistë të së majtës e të djathtës kanë shprehur shqetësimin se partitë politike, sidomos dy më të mëdhatë, kanë rrëshqitur nga qëndrimet e tyre ideore drejt sjelljeve a-tipike për profilin e tyre ideor dhe historik. Këto ankesa që thërrasin për “tradhti” të dy liderëve të parive mbizotëruese, bëhen në kushtet kur zgjedhjet e ardhshme do të mbahen pas një, çka e ringjall në një farë mënyre diskutimin mbi ideologjinë në politikë. Ky debat është nga të paktët që shfaqet si konstant në komunikimin publik, për sa kohë është njëri nga përbërësit politik të bilanceve dhe ofertave para-elektorale. Jo vetëm kaq, por i shërben edhe mbajtjes gjallë të diskutimit të lirë si burim themelor i demokracisë së një vendi.

Konkretisht duke lënë mënjanë të majtën e cila a-ideologjizimin e fjalorit politik e mban si flamur dhe jo defekt, çështja e shqyrtimit të performancës së qeverisë dhe artikulimit publik të saj, përbën dhe pjesë që ofron më shumë sfidë. Po të shtojmë dhe faktin se e majta historikisht pas 1990 ka qenë konfuze, rezulton se kritikat dhe miratimet duhet të shënjestrojnë ekskluzivisht PD dhe aleatët e saj. Çështja shtrohet, a kanë të drejtë ata që e kritikojnë si nga Brenda të djathtës mazhorancën për konfuzion ideologjik? Dhe përgjigja e parë që vjen ndër rreshta është se kjo nuk është çështje e një shkrimi ose disa shkrimeve identikë me njëri-tjetrin. Marrja në shqyrtim e bilancit qeverisës nuk mund të jetë produkt i spekulimeve vende-vende, ose e thënë më mirë selektive, por kërkon tolerancë ndaj fakteve jo gjithmonë të pëlqyeshme për kritikën.

Konkretisht “skanimi” i tre viteve të deritanishëm të qeverisjes së djathtë duhet të kalojë nëpërmjet rreshtimit të disa fakteve si më poshtë. Së pari duke filluar me reformat fiskale. Në çdo vit fiskal mazhoranca ka arritur të reduktojë ndjeshëm nivelin e taksave dhe tatimeve, si në nivel qendror edhe në atë fiskal. Kjo jo vetëm shton hapësirën e lirisë së sipërmarrjes duke lënë më shumë para në duart e privatëve, por mbi të gjitha e shoqëruar edhe me transferim të detyrimeve drejt pushtetit vendor, rrit ndjeshëm hapësirën e lirisë. Kusht ky i domosdoshëm për një liberal. Decentralizimi jo vetëm afron qytetarët me qeverisjen, por i jep mundësi të parit që të zgjedhë se ku do të investojë apo edhe banojë. Për Friedman si bashkëthemelues i neo-liberalizmit, kjo reformë veçse shton mundësitë e zgjedhjes, pra rrit lirinë e zgjedhjes.

Për të qëndruar tek reformat fiskale mund të thuhet se efektet e sipërpërmendura nuk janë të vetmet që e rreshtojnë mazhorancën tek qëndrimet ideologjike korrekte. Pasi ulja e nivelit të taksave dhe tatimeve , njëkohësisht është pasuruar dukshëm e dhe me rritjen e disiplinës fiskale. Çka do të thotë që parimi i zvogëlimit të shtetit është shoqëruar me forcimin e autoritetit të institucioneve publike. A nuk është kjo konstante e djathtë?! Librat thonë po, pavarësisht nga ndonjë lexim i nxituar.

Por provat e një qëndrueshmërisë ideore vazhdojnë edhe më tej. Shkurtimi i kohës së regjistrimit të bizneseve, hapja e hapësirës së investimeve nëpërmjet koncesioneve dhe delegimi i ardhshëm i disa shërbimeve publike tek privatët janë prova edhe më bindëse.

Por kritikët në një pamje të jashtme duket se kanë edhe disi të drejtë kur thonë se ka pasur disa iniciativa të “markës” së kujdesit social. Kjo është një e vërtetë e pjesshme, por duke pasur parasysh dy arsye. Së pari kryeministri e ka shpallur këtë angazhim për rritjen pagave dhe pensioneve të ulëta që gjatë fushatës elektorale të vitit 2005, çka do të thotë që është votuar edhe për këto angazhime jo tipike të një të djathtë veçse liberale.

Së fundi nuk duhet harruar që politika si akt apo sipërmarrje është shumë më komplekse se idetë. Ajo nuk është sferë e përsiatjeve dhe meditimeve pa fund rreth natyrës së njeriut e shoqërisë. Si aktivitet konkurrencial dhe i përgjegjësisë konkrete, qeverisja synon që pa braktisur parimet e veta ideore, të ndërmarrë edhe nisma që i afrohen shijeve të publikut apo nevojave të tij. Dhe në një vend të ende jo të pasur si Shqipëria, ky lloj pragmatizmi që nuk hyn në konflikt me moralin është i nevojshëm, pse jo edhe i domosdoshëm. Politika nuk mund të jetojë pa pragmatizmin, ndryshe do të duhej të kthenim në jetë utopi të tipit të djathtë, që në fakt nuk kanë ekzistuar ndonjëherë si e thotë edhe vetë termi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›