Itali, shkatërrohet banda shqiptare e trafikimit të minorenëve
Policia: Gëzim Tafa, kreu i grupit
Në pranga janë vënë 43 persona
Plot 43 persona, emigrantë të paligjshëm shqiptarë, nga këta 27 të mitur, janë ndaluar gjatë kësaj jave nga policia italiane në kuadër të një operacioni të gjerë. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga mediat lokale vendase sipas të cilave, vetëm gjatë mëngjesit të djeshëm policia e Gorizia-s në Itali ka shkatërruar një organizatë kriminale që favorizonte trafikun klandestin të minoreneve, kryesisht nga vendet e lindjes. Sipas të dhënave, operacioni është finalizuar nga Skuadra e Lëvizshme e Kuesturës së bashku me Shërbimin Operativ të Policisë së Gorizia-s, të cilët kanë vënë në pranga nëntë emigrantë shqiptarë, si dhe një qytetare italiane si bashkëpunëtore në veprimtarinë kriminale. Ndonëse nuk ka bërë të ditur emrat e shqiptarëve për shkak të hetimeve, policia italiane tha për mediat se pjesëtarët bënin pjesë në një bandë që transportonte në mënyrë ilegale duke iu marrë deri në 5 mijë euro.
Ndërkohë, nga të dhënat mësohet se hetimet do të vijonin pas zbulimit të një grupi minorenësh shqiptarë të hyrë në mënyrë klandestine në Itali duke kaluar transit përmes Sllovenisë, por që më pas përfunduan në spitalin e Gorizia-s. Më pas, policia italiane do të zbulonte se trafikantët trafikonin minorenë, pasi mosha e tyre e vogël nuk i lejonte, kjo në bazë të Konventave ndërkombëtare, të riatdhesoheshin, duke mos zbuluar në këtë mënyrë edhe personat që i kishin sjellë në këtë vend. Në këtë pikë, policia italiane tha se nga 100 minorenë të pyetur, ka rezultuar se një pjesë vinte nga 16 fshatra të ndryshëm shqiptarë.
Për këtë, në pranga janë vënë 43 emigrantë ilegalë shqiptarë, nga të cilët 27 të mitur që paguanin nga 3000 deri në 5000 euro për kokë për të bërë rrugën.
Për një gjë të tillë, xhiroja e një viti e përllogaritur nga specialistët italianë kap vlerën e 1 milion eurosh të përfituara nga kalimi i klandestinëve minorenë.
Sakaq, këta të fundit kalonin mes për mes Ballkanit, nga Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia, duke mos përjashtuar as persona nga këto vende.
Në krye të organizatës policia italiane ka identifikuar Gëzim Tafën, një 39-vjeçar që përdorte “celula” në vendet e mësipërme dhe më pas bashkëpunonte me të njohur të tjerë, tashmë emigrantë në shtetin italian, si dhe një bashkëpunëtore të tij italiane e cila kishte përfituar një shumë të konsiderueshme të hollash si shpërblim.
Grupi i Gëzim Tafës
Gëzim Tafa është njëri nga katër personat të cilët tentuan nisjen e skafit nga Patoku, Laç, për në Itali, në datën 10 janar të këtij viti me 33 klandestinë në bord. 39-vjeçari do të arrestohej në 25 janar gjatë operacionit të koduar “Klandestini” nga Sektori i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Sektori i Operacioneve Speciale në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me akuzën e “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Sipas policisë në atë kohë, operacioni ka synuar të godasë një grup të strukturuar kriminal me aktivitet organizimin e kalimit të paligjshëm të njerëzve nga Shqipëria në Itali, duke shfrytëzuar si itinerarin tokësor Shqipëri - Mali i Zi - Kroaci - Slloveni - Itali, ashtu edhe në rrugë detare me gomone nga bregdeti shqiptar në atë italian. Veç Tafës, në pranga janë vënë edhe Ardian Corri, 37 vjeç, Aleksandër Malaj, 34 vjeç dhe Rexhep Cuku, 48 vjeç.