Hapen 16 kilometrat e parë të Levan-Vlorë
Qytetarët që do të udhëtojnë me destinacion Vlorën, apo edhe më në jug, tashmë mund të përdorin autostradën Levan-Vlorë. Dje janë hapur për automjetet dy korsi për 16 kilometrat e parë të kësaj rruge, nga Novosela deri në hyrje të qytetit të Vlorës. Në fakt, hapja e 16 kilometrave të parë të rrugës u lajmërua më herët nga institucionet përkatëse për të lehtësuar udhëtimin e qytetarëve drejt Vlorës. Dje janë hapur vetëm dy korsi për qarkullimin, sidomos tani për sezonin turistik, ku trafiku nuk do të vonojë të shfaqet. E plotë kjo rrugë do të hapet në muajin tetor, kur pritet që të ketë përfunduar komplet dhe të jenë funksionale për qarkullimin e automjeteve të katra korsitë. Autostrada Levan-Vlorë është kthyer në një histori më vete. Për herë të parë kjo rrugë u tenderua më shumë se 5 vite më parë. Që atëherë ende sot mbart me vete vonesa, të cilat jo pak herë janë bërë objekt akuzash mes palëve politike. Autostrada është pjesë e Korridorit VIII, një ndër projektet më të rëndësishme të infrastrukturës në vend, për të cilin është komentuar jo pak edhe në takime rajonale. Ajo ka një gjatësi 24 km, gjerësi 35 metra dhe ka katër korsi. Shpejtësia lëvizëse e mjeteve, e parashikuar në këtë rrugë, është 120-130 km/orë. Ndërtimi i kësaj rruge shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit, duke u vlerësuar si një investim që përveçse do të jetë në dobi të turizmit, do tua lehtësojë rrugën edhe qytetarëve që udhëtojnë çdo ditë në drejtim të Vlorës.