E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapen 26 kuti 403 vota te reja ne betejen e Tiranes

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap sërish kutitë. Me 4 votat e maxhorancës dhe kundërshtitë e opozitës, institucioni që manaxhon zgjedhjet, vendosi të rinumërojë dhe rivleresojë fletët e kontestuara dhe për 26 kuti të tjera në Tiranë. Sipas sinjalizmeve të PD-së, në to janë hedhur gabimisht 403 vota, ndër to dhe për kryetarin e bashkisë.

10 kutitë e para, kishin të vlefshme 7 vota për Edi Ramën dhe 4 për Lulzim Bashën. Ndërkohë, KQZ do të procedojë të mërkurën me pjesën e mbetur. Hapja e kutive i parapriu debatit për sigurinë e tyre. Socialistët ngritën sërish pretendimet për manipulim dhe ndërhurje në to.

Arben Ristani: “Ndodhet në magazinat e KQZ-së”.

Eridian Salianji: “Ku?”

Arben Ristani: “Po ç’rëndësi ka?”

Eridian Salianji: “Ka të bëjë me integritetin e kutisë, kjo është rëndësia”.

Arben Ristani: “Integriteti i kutisë është kutia vetë, e mbyllur me kodet e sigurisë përkatëse dhe përcaktohet mënyra se si identifikohen kodet, si mbahen proces verbalet, kush i mban ato. Nuk e përbën as makina që e transporton, dhe as magazina ku ruhet”.

Kërkesa fillestare e demokratëve ishte rinumërimi i të gjitha fletëve të kontestuara të ndodhura në kutitë e Tiranës, përfshi këtu edhe ato të hapura njëherë nga KQZ, të cilat prodhuan diferencën prej 81 votash mes Bashës dhe Ramës.

Ivi Kaso: “Kërkojmë të rivlerësohen të gjitha fletët e votimit për kandidatët për kryetar që u vlerësuan gjatë procesit të numërimit fillestar të KQZ-së që veproi si KZAZ e madhe. Ngelën që të gjitha të kontestuara, pasi u konstestuan të gjitha një për një nga përfaqësuesit e PS-së.

Dëshira Subashi: “Rinumërimi i votave i përket në qendre të caktuar që është në të drejtën  e dy anëtarëve të KQZ-së ta kërkojnë. Nenin 138 unë nuk e lidh me votat e caktuara që janë bërë baraz me votat e kontestuara”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi një ditë më parë të riverifikojë të gjithë procesverbalët dhe librat e protokollit të 11 KZAZ-ve të Tiranës, për të parë në këtë mënyrë përputhshmërinë ose jo me shifrat siç pretendon PS, por dhe për të hapur kuti të tjera siç kërkon PD.

Elona Gjylmi
Azhornuar së fundi ( e martë , 31 maj 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›