E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec uje 24-ore. Ne perfundim kanalizimet

 Pogradeci përveç bukurive natyrore do të ofrojë këtë sezon turistik edhe furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë të të gjithë qytetit .Gjithashtu është në përfundim edhe ndërtimi i një sistemi modern kanalizimesh të ujrave të zeza dhe asfaltimi i rrugëve dytësore të tij duke ofruar kështu një standart tërheqëse për pushuesit. Përveç punimeve që kryen në infrastrukturë është turizmi privat dhe ai familjar që çdo stinë të vitit është funksional.
“Këtë vit ka një veçanti në lidhje me liqenin. Ka një pastërti shumë të mirë në krahasim me vitet e tjera duke qenë se projekti i kolektorit dhe i impiantit të pastrimit ka përfunduar dhe liqeni është i pastruar totalisht dhe nuk ka asnjë derdhje të ujrave të zeza. Mund të zhvillohet plazhi edhe në pjesët pranë qytetit ku më parë ishte e pamundur të bëhej diçka e tillë” thotë Erjon Vesho, nënkryetari i bashkisë Pogradec.

Vera e vitit të kaluar shënoi kulme për turizmin në Pogradec edhe pse vetë drejtuesit lokalë pranojnë se kushtet më të mira të pushimit dhe çmimet më të ulta hotelerike në ohër dhe Strugë thithin më shumë turistë drejt plazheve maqedone.

Sipas statistikave zyrtare të bazuara në të dhënat e rregjistruara nga agjencitë turistike, në këtë qytet turistët arritën shifrën rekord të 150.000 netë qëndrimi, prej tyre 15% kanë qënë turistë të huaj nga Gjermania, Suedia etj.

Jorgjeta Gjanci 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›