Hapen 7 shërbimet e para në Spitalin Qendror në QSUT

Spitali Qendror në QSUT është vendosur në funksion të pacientëve me 7 shërbimet e para. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar nga afër pacientët dhe stafet mjekësore të shërbimeve të transferuara në spitalin e ri.
Ministrja tha se vijon plani i transferimit të plotë të shërbimeve, që do të përmbyllen me vënien në funksion të urgjencës së re.
“Jemi të kënaqur që plani i transferimit është duke shkuar ashtu sikurse ne e kemi planifikuar, duke garantuar që shërbimet të transferohen nga pikëpamja e organizimit ndërspitalor, por edhe organizmit mes shërbimeve të ketë efektivitet maksimal.
Shtatë shërbime janë transferuar. Kjo është faza e parë, puna po vijon për t’u transferuar edhe shërbimet e tjera, sikurse është shërbimi i kardiologjisë, reanimacionit kardiak dhe urgjenca”, tha Manastirliu.
Spitali Qendror ka kapacitet 345 shtretër dhe do të akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.
/rtsh.al/