E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapësira ekonomike Shqipëri-Kosovë, akademikët marrin në dorë situatën

Profesor Ardian Civici tha në një intervistë për “Mapo” se, larg praktikave të nacionalizmit ekonomik e politik, ajo që synohet janë analizat, studimet dhe propozimet konkrete për masa, politika ekonomike, strategji zhvillimi ekonomik, realizimi i projekteve me impakt të konsiderueshëm, thithje investimesh të huaja direkte etj

Zoti Civici, kjo është e para iniciativë në rang ekspertësh për një forum mbi hapësirën e përbashkët ekonomike shqiptare në Ballkan. Pse pikërisht tani?

Tendenca kryesore në shek. XXI-të, por veçanërisht periudha pas krizës globale, po evidenton si domosdoshmëri krijimin e hapësirave sa më të mëdha të veprimit të aktivitetit ekonomik e financiar, të hapësirave jo vetëm territoriale por dhe njerëzore, kapitaleve, investimeve, tregtisë, shërbimeve, etj. Në këtë këndvështrim, edhe ideja e nxitjes së një hapësire të përbashkët ekonomike shqiptare në Ballkan mund të vlerësohet si një hap prej kërkimit të rritjes së rëndësisë dhe frymëmarrjes së sistemit ekonomik e financiar, të tregjeve e shkëmbimeve të të gjitha llojeve për ekonominë shqiptare, atë kosovare dhe pse jo, edhe për atë maqedonase. Larg ideve apo praktikave të nacionalizmit ekonomik e politik, ajo që synohet nëpërmjet kësaj iniciative janë analizat, studimet dhe propozimet konkrete për masa, politika ekonomike, strategji zhvillimi ekonomik, realizimi i projekteve me impakt të konsiderueshëm, thithje investimesh të huaja direkte, rritja e eficencës së mjaft investimeve të realizuara deri tani, koordinimi më i mirë i interesave dhe sferës së veprimit të biznesit privat, shfrytëzimi i avantazheve krahasuese të njëri-tjetrit, koordinimin e politikave tregtare dhe tregtinë reciproke, bashkëpunimin e dhomave të tregtisë e industrisë, etj. Iniciativa e lancimit të një forumi mbi krijimin apo eficencën e një hapësire të përbashkët ekonomike shqiptare në Ballkan, mishëron një kërkesë evidente në periudhën apo stadin ku ndodhen veçanërisht ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo po merr jetë si një nismë e ish Presidentit të Republikës së Kosovës, Z.Behgjet Pacolli, aktualisht Zv/Kryeministër dhe Universitetit Europian të Tiranës së bashku me Universitetin FAMA të Prishtinës.

A mendoni se rritja e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë do të nxisë integrimin europian më të shpejtë të vendeve?

Kapacitetet ekonomike të vendeve të rajonit mbeten ende të nënshfrytëzuara dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe i ekuilibruar kërkon rendiment të lartë të balancimit të faktorëve të prodhimit me kërkesën e brendshme dhe të jashtme të vendeve tona. Zgjerimi dhe mirëfunksionimi i një tregu ballkanik në përgjithësi dhe në këtë kuadër, dhe atij mbarëshqiptar në veçanti do të ishte një hap më shumë drejt integrimit evropian. Për më tepër, një nga sfidat e sotme të globalizimit është sfida e integrimit të ekonomive të vendeve të ndryshme me njëra-tjetrën, është shkalla e hapjes së tyre ndaj ekonomisë globale, është përballimi i konkurrencës ndërkombëtare që sa vjen e bëhet më e vështirë nëse ekonomitë e vendeve të ndryshme apo tregjet janë të vogla e të izoluara. Pikërisht për këtë arsye, ne duhet të kërkojmë dhe të përpiqemi që ta zgjerojmë hapësirën bashkëpunuese e ndërvarësinë e ekonomive tona, jo vetëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, por në gjithë hapësirën ballkanike. Duke u ndalur veçanërisht tek “integrimi i sistemeve ekonomike e financiare” problemi qëndron tek mundësitë dhe rrugët që duhet të kërkojnë këto vende për të bashkëpunuar institucionalisht në këtë drejtim. Sa më i qëndrueshëm të jetë stabiliteti financiar dhe ekonomik i rajonit, aq më tërheqës bëhet ai për investimet e huaja direkte dhe përgjithësisht tregjet financiare dhe partneritetin ndërkombëtar.

Trupat akademike nga Shqipëria dhe Kosova e kanë iniciuar këtë forum. A kanë këto një rol të qartë?

Në vendet e zhvilluara, universitetet janë jo vetëm qendra të rëndësishme akademike mësimdhënëse, por edhe qendra të rëndësishme kërkimore shkencore e ofruese shërbimesh të ndryshme. Ato kanë kapacitetet njerëzore cilësore dhe struktura institucionale, që të luajnë një rol parësor në axhendën e zhvillimit ekonomiko-social të çdo vendi. Në këtë këndvështrim, edhe përfshirja e Universitetit Europian të Tiranës dhe Universitetit FAMA të Prishtinës në këtë iniciativë shkon në të njëjtin sens me këtë rol të universiteteve. Ato mund e duhet të bëhen qendra të rëndësishme që bëjnë analiza të specializuara, që ofrojnë politika e masa që duhen ndërmarrë nga qeveritë përkatëse, koordinojnë aktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik, artikulojnë shkencërisht kërkesat e biznesit dhe tregjeve në përgjithësi, botojnë dhe divulgojnë gjithë problematikën e zhvillimit dhe kooperimit ekonomik, janë më neutrale politikisht dhe privilegjojnë logjikën shkencore të politikave dhe strategjive të zhvillimit, i kanë më të lehta kontaktet dhe bashkëpunimin me shumë partnerë të specializuar ndërkombëtarë, etj. E rëndësishme është që vetë universitetet ta vlerësojnë këtë rol dhe të angazhohen institucionalisht në realizimin me sa më eficencë të tij në interes të ekonomisë dhe gjithë shoqërisë.

3. A do të finalizohet mbajtja e këtij forumi me iniciativa konkrete?

Masat apo politikat që mund të ndërmerren në këtë drejtim janë të shumta. Si të tilla mund të përmendim thellimin e diapazonit të veprimit dhe efektit të marrëveshjeve tregtare dhe këmbimit të mallrave apo shërbimeve në përgjithësi; hartimi dhe koordinimi i projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me transportin, kryesisht atë rrugor e hekurudhor; koordinimi i politikave dhe investimeve në energjetikë; përfshirjen e përbashkët në programet europiane e ndërkombëtare të naftësjellësve e gazsjellësve; harmonizimi i ofertës dhe produkteve turistike cilësore për tu bërë një pol i rëndësishëm turistik rajonal; koordinimi i politikave makroekonomike, fiskale e buxhetore për të krijuar një zonë ekonomiko-financiare të përbashkët të stabilizuar e larg krizave; hartimin dhe implementimin e politikave të përbashkëta për përmirësimin e klimës së biznesit dhe stimulimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme; nxitjen e bashkëpunimit të dhomave të tregtisë dhe industrisë për koordinimin e biznesit privat që është një faktor fondamental për ekonomitë tona; bashkëveprimi më i mirë i tregjeve financiare dhe bankave; koordinimi ligjor e institucional për luftimin e krimit financiar e ekonomik, pastrimin e parave, eliminimin apo zbulimin e transaksioneve apo pagesave jolegale, etj., mund të vlerësohet si një drejtim i rëndësishëm integrimi financiar i rajonit;

Intervistoi Sabina Veizaj

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›