E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani zbardh kredimarrësit më të këqij

SHKRUAN: Blerina Hoxha 19-08-2011 12:08

Kreditë e këqija janë zhvendosur në rrezikun numër një ndaj sistemit bankar shqiptar, thuhet në një raport të publikuar dje për këtë qëllim nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, autoriteti qendror bankar vlerëson se bankat po e përballojnë në mënyrën e detyruar këtë shqetësim, duke parashikuar fondet rezervë dhe provigjionet e nevojshme. Banka e Shqipërisë, duke analizuar kredinë sipas sektorëve të ekonomisë për nga pesha në nivel sistemi dhe për nga cilësia e kredisë, vërehet se nivelin më të lartë të kredive me probleme e ka sektori i “ndërtimit” me tregues cilësor prej rreth 19.8 për qind, pasuar nga “industria përpunuese” me rreth 15.2 për qind dhe “tregtia, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë” me rreth 13.8 për qind. Ndërkohë që sektorët më të kredituar të ekonomisë janë “tregtia, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë”, me rreth 24.1 për qind; pasuar nga sektori i “ndërtimit” me rreth 13.9 për qind; dhe “industria përpunuese” me rreth 10 për qind. Nga ana tjetër bankat kanë rritur fondet rezervë për mbulimin e humbjeve nga kreditë me probleme, janë rritur thuajse në të njëjtin ritëm rritjeje me kreditë me probleme. Analiza e shtrirë për periudhën njëvjeçare, duke krahasuar fundin e vitit 2010 me atë të vitit të kaluar, flet për një rritje relativisht të lartë të fondeve rezervë me 11.9 miliardë ose 49.5%, kundrejt rritjes së kredive me probleme me 45.4%. Peshën më të madhe të portofolit të kredive me probleme e zë kredia e dhënë për “individët” me 25.1 për qind të totalit, e pasuar nga ajo për “tregtinë dhe riparimin e automjeteve e të artikujve shtëpiakë”. Rritje të ndjeshme të kredive me probleme kanë pasur edhe kreditë e dhëna sektorit të pasurive të patundshme me rreth 21 për qind.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e kredisë me probleme është ndikuar nga rritja konstante e treguesit në monedhën euro me 3.5 pikë përqindjeje. Në monedhën usd, kredia me probleme e pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit ka rënë me rreth 2 pikë përqindje, duke pasur ulje dhe ngritje gjatë vitit. Nga ana tjetër analiza e kredimarrësve më të mëdhenj të sistemit, referuar fundit të vitit 2010, dallon se dhjetë kredimarrësit më të mëdhenj përbëjnë një rreth 8.2 për qind të totalit të kredive të sistemit, nga 10 për qind që zinin në dhjetor 2009. Analiza e portofolit të kredive, bazuar në llojin e kolateralit të marrë si garanci nga bankat për sigurimin e kredive, nxjerr në pah faktin se pjesa më e madhe e kredive të sistemit, rreth 55 për qind, është e kolateralizuar nga pasuri të paluajtshme. Rreth 38 për qind e kolateralit “pasuri të paluajtshme” është e tipit rezidencial. Nga shqyrtimi i kolateralizimit të shpërndarë sipas monedhave, vihet re se portofoli i kredive në valutë është më i mirëkolateralizuar se ai në monedhën vendase. Kreditë e dhëna pa kolateral, përbëjnë 11 për qind të tepricës së kredive në monedhë të huaj, kundrejt 32 për qind të tepricës së kredive lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›