Hapësira të reja ligjore për investimet kolektive

Sipërmarrësve privatë u krijohen hapësira të reja për krijimin e fondeve kolektive për investime, të mbrojtura me ligj. Dje, Qeveria miratoi p/ligjin "Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive", hartuar nga Autoriteti i mbikqyrjes financiare (AMF), që synon të forcojë sistemin e fondeve kolektive të investimit në Shqipëri për të nxitur grupet e interesit që të përfshihen në skemat e fondeve kolektive të investimit. Ekspertë të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare thanë sot se ky projektligj është hartuar pasi ka marrë parasysh kërkesën në rritje të tregut për investime afatgjata. Ai synon të sigurojë një mbrojtje efektive të interesave të investitorëve, të cilët nxiten nga ofertat e operatorëve të këtyre skemave. Për këtë qëllim, p/ligji parashikon në mënyrë të shprehur se shoqëria administruese nuk mund të fillojë promovimin, reklamimin, tregtimin, ose ofertën për shitje të ndonjë titulli, apo aksioni të një sipërmarrjeje investimi kolektiv, pa autorizimin e Autoritetit te Mbikëqyrjes Financiare.
Projektligji është hartuar në përputhje me Direktivën e BE që rregullon fondet e investimeve, "Për koordinimin e ligjeve, rregulloreve dhe parashikimeve administrative lidhur me sipërmarrjet për investimet kolektive me tituj të transferueshëm". Ky p/ligj ka për qëllim të rregullojë kushtet dhe kriteret për krijimin, themelimin dhe funksionimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive si dhe të shoqërive administruese; emetimin dhe shitjen e kuotave dhe aksioneve; shlyerjen e titujve; si dhe promovimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive. Në p/ligj përcaktohet edhe kapitali i regjistruar i shoqërisë administruese dhe burimet e tij. Në bazë të projektit të miratuar nga qeveria, shuma minimale e kapitalit të regjistruar të shoqërisë administruese do të jetë 15,625,000 Lekë. Burimi për kapitalin fillestar të pjesëmarrjes për themelimin e Shoqërisë Administruese nuk mund të jetë hua, kredi, ose paradhënie nga subjektet, që janë palë të treta.
P/Ligji “mbi obligacionet”
Qeveritë vendore, por edhe biznesi vendas do të kenë një tjetër mundësi më shumë për të financuar aktivitetet e tyre. Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Mbi obligacionet e shoqërive aksionare dhe qeverisë vendore", nëpërmjet të cilit rregullohet në detaje emetimi publik i instrumenteve të borxhit, të korporatave apo të qeverisë vendore, ç'ka i lë më shumë hapësirë investitorëve dhe subjekteve privatë për të investuar. Ekspertë të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare thanë sot se ky projektligj pritet të sjellë ndikim pozitiv në zhvillimin e tregut të titujve në Shqipëri. Nga ana tjetër, sipas tyre, pritet që t’u japë dhe bizneseve vendase si dhe qeverisë vendore një mundësi tjetër alternative (të ndryshme nga sistemi bankar) për të financuar aktivitetet e tyre. P/ligji u hartua pas ndryshimeve që pësoi legjislacioni shqiptar për letrat me vlerë, për shoqëritë tregtare, si dhe për huamarrjen e qeverisë vendore, të cilat janë miratuar më parë. Sipas projektligjit, çdo obligacion shoqërohet me një program huaje, i cili përmban me hollësi kushtet dhe afatet e obligacionit. Programi është i detyrueshëm për t’u zbatuar për emetuesin, zotëruesin e obligacioneve dhe pasardhësit e tyre, si dhe nga çdo palë e tretë përfituese. Projektligji parashikon që shpërndarja e obligacioneve kryhet nëpërmjet ofertës private, ose publike. Qeveria vendore ka të drejtë të emetojë obligacione afatshkurta dhe afatgjata, në përputhje me dispozitat e ligjit "Për huamarrjen e qeverisjes vendore". Ndërsa njësitë e qeverisjes vendore, të cilat kanë ka emëtuar obligacione, i nënshtrohen për çdo vit financiar, auditimit të detyrueshëm nga auditi i jashtëm i autorizuar.
...