Rruga e shqiptarëve dhe “rrugaçët” e Rrugës
Me afrimin e zgjedhjeve të 28 qershorit ’09, kundërshtarët e rrugës Durrës-Kukës po bëhen gjithnjë e më të papërmbajtur, duke shpifur e akuzuar si rrugaçë ordinerë. I biri i një ish sekretarit të parë të të kohës së PPSH-së në disa rrethe të vendit, Ditmir Bushati e konsideroi atë në një debat televiziv si, “gropa e zezë e shqiptarëve”, kurse një pinjoll tjetër e ish nomenklaturës së lartë komuniste, tha për kredinë ndërkombëtare prej 250 milionë euro, që qeveria shqiptare mori këto ditë, se, “do të përdoret për qëllime elektorale, duke financuar rrugën e varfërimit të shqiptarëve”. Këtij fjalori rrugaçror i takon edhe shprehja “rruga e korrupsionit patriotik”, për të njollosur dhe zhvleftësuar meritat e qeverisë “Berisha” në ndërtimin e kësaj kësaj vepre me rëndësi të madhe jo vetëm ekonomike por edhe patriotike. Po kështu, edhe deklarata që kreu socialist Edi Rama bëri gjatë një takimi elektoral në Kukës se, “Rruga Durrës-Kukës i duhet gjithë kombit, por këtë rrugë do të inagurojmë ne”, nuk është më pak cinike dhe provokuese se sa thëniet e tjera të drejtpërdrejta për të kundërshtuar apo përbaltur ndërtimin e “Rrugës së shqiptarëve”, siç e kanë konsideruar me të drejtë politikanët dhe intelektualët e vërtetë të kombit tonë. Nuk ka diskutim që, ajo është “kryevepra e shekullit” për shqiptarët. Dhe s’mund të ishte e tillë, nëse nuk do të kalonte në këtë itinerar që po ndërtohet aktualisht, me gjatësi totale prej 170 km; dhe s’do kishte 4 korsi, 29 ura, gjatësia totale e të cilave shkon në 4 km, dy tunele vajtje-ardhje me gjatësi 5,5 km secili, do të përshkohet me 100-120 km/orë, etj.
Por kjo vepër madhore s’mund të ndërtohej në përmasa të tilla me buldozë ushtrie apo duke aplikur e mbledhur “taksën Majko” për financimin e punimeve, sikundër ndodhi në 5 vitet e fundit qeverisës të të majtëve. Një zgjidhje apo qëndrim i tillë i qeveritarëve majtist ishte disa herë më denigrues se sa shprehjet e sipërcituara të opozitarëve social-komunistë. Mënyrë më të keqe për t’u tallur me këtë vepër, por edhe me shqiptarët e zonës veriore, verilindore apo shqiptarët e Kosovës nuk kishte. Kulmi i një poshtërsie të tillë arriti në momentin kur 200 milionë eurot e “taksës Majko” u përdorën për shpenzime të tjera të Buxhetit të Shtetit apo më mirë të themi, u shpërdoruan në mënyrë korruptive, siç vetëm dinë të bëjën një gjë të tillë, qeveritarët e majtë. Ky është një skandal i vërtetë, si mjaft skandale të tjera të ndodhura në vitet e qeverisjes majtiste, por që nuk po zbardhet nga organet përkatëse të ligjit. Mbase po të ishte bërë objekt hetimi kjo çështje, atëherë llapaqenët e ndryshëm politikë e mediatitë do të ishin më të rezervuar në shpifjet dhe akuzat e tyre për gjoja “korrupsion në ndërtimin e Rrugës Durrës-Kukës”. Por kjo që mendojë unë është thjeshtë një iluzion, pasi social-komunistët e varur e të pavarur janë kaq të pafytyrë që të lënë “dobiçin në derë” pa të keq, siç bënë me ngjarjet e ’97-ës.
Majtistët e të gjitha ngjyrave e kanë nëmur, kundërshtuar, përçmuar, përbaltur e përfolur ndërtimin e kësaj rruge, përveç të tjerash edhe për faktin se ata e kanë konsideruar atë një vepër që i shërben vetëm “çeçenisë shqiptare”. Dhe këtë e bëjnë jo nga padija apo mungesa e vizionit për vlerat dhe rëndësinë e kësaj vepre madhore për shqiptarët. Natyrisht, nuk mund të mohohet fakti që rruga “Durrës-Kukës” i shërben zhvillimit ekonomiko-shoqëror të zonës së veriore dhe verilindore të vendit tonë. Por mga ana tjetër, nëpërmjet saj merrë zhvillim ekonomia, turizmi dhe transporti i një rajoni të tërë. Një tjetër dimension të ri fiton me këtë rast edhe Porti i Durrësit dhe i Shëngjinit, pa llogaritur këtu zhvillimin e bizneseve në dy anët e kësaj rruge. Por kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme po ta shohim atë, jo vetëm si aksin që lidh Shqipërinë me Kosovën, por edhe si një urë lidhje me Serbinë, me Ballkanin e Veriut dhe me Evropën Juglindore. Në këtë mënyrë ajo kthehet në një aks shumë të rëndësishëm ekonomik e rajonal. Fakte dhe arsyetime të tilla tregojnë se shpifjet, artikulimet dhe qëndrimet kundërshtuese të politikanëve të majtë nuk burojnë thjeshtë nga pozicioni i tyre opozitarist, por nga shpirti i tyre enverist. Këtë tregon edhe këshilla e tyre “dashamirëse” për ta ndërtuar rrugën Durrës-Kukës me dy korsi dhe në një itinerar tjetër, duke shmangur tunelin e Kalimashit, që me të drejtë është konsideruar si “Muri i Berlinit” midis Kosovës dhe Shqipërisë. Pra gjithësesi edhe këtu nxjerrë krye qëllimi i tyre i mbrapsht për të penguar apo ndërtuar një rrugë të zakonshme për të lidhur Shqipërinë me Kosovën, në standartin e rrugëve që ndërtuan ata gjatë viteve ’97-’05, duke ecur në gjurmët e rrugëve të Enverit nëpërmjet zgjerimit dhe shmangies së ndonjë kthese, sikundër bënë me rrugën Durrës - Rrogozhinë, Fushë Krujë – Shkodër, Rrogozhinë – Qafë Thanë, etj. Mbase dhe për këtë arsye atyre u duket se po harxhohet shumë për ndërtimin e kësaj rruge. Por rrugë të tilla në terrene të vështira dhe me standarte kushtojnë dhjetë deri njëzetë herë më shumë se sa, fjala vjen, rruga Durrës-Rrogozhinë. Po sjell një shëmbull nga Italia fqinje. Në Mestre, sapo ka ëprfunduar një autostradë prej 32 km e gjatë me 3 korsi vajtje-ardhje që quhet Passante di Mestre. Punimet kanë nisur para 6-7 vitesh dhe megjithëse është tërësisht fushë, kostua e ndërtimit ka arritur në gati 860 milionë euro. Përrlogaritjet tregojnë se, kostua kilometrike e ndërtimit të kësaj rruge është shumë herë më e lartë se sa kostua e ndërtimit të Rrugës “Durrës-Kukës”.
Por ndërtimi i veprave të mëdha kombëtare nuk mund të bëhet nga njerëz apo politikanë të vegjël, dhe as nga firma të drejtuara nga kapot e Komiteteve të Shpëtimit Kombëtar. Po të mos kishte qënë vizioni dhe këmbëngulja e Sali Berishës, kjo rrugë nuk do të ishte ndërtuar kurrë. Kështu ka ndodhur edhe në vende të tjera, nga lider e burra shteti të këtij standarti. Shëmbulli më domethënës është ai i ndërtimit të rrugës me katër korsi që lidh Zagrebin me Splitin në Kroaci. Fjala është për një vepër që ka kushtuar mbi 1,5 miliardë dollarë, e ndërtuar nga po e njëjta kompani që po ndëton edhe Rrugën “Durrës-Kukës”; pra nga “Bechtel-Enka”. Edhe në katë rast, ashtu si në Shqipëri, pati reagime kundërshtuese nga firmat e tjera ndërtuese dhe opozita kroate. I fuqishëm ishte dhe reagimi i FMN-së, e cila e kërcënoi shtetin kroat deri me prishje të marrëveshjes së lidhur me të. Megjithatë shumica e vendimarrësve kroat ishin për ndërtimin e kësaj rruge, pasi ishte rruga që ringjallte pjesën e pazhvilluar ndërmjet Zagrebit dhe bregdetit kroat dhe shkurtonte distancën e udhëtimit për në Split me 4 orë, duke bërë të mundur përshkimin e rrugës Zabreb-Split për 2 orë nga 6 që ishte më parë. Përballë kundërshtarëve të kësaj rruge doli Presidenti Mesiç, i cili u bëri të qartë edhe përfaqësueve të FMN-së, se do të marrte përsipër çdo kosto që i shërbente zhvillimit të ekonomisë dhe shtetit kroat. Gjithkush mund të arsyetojë e reflektojë më tej duke bërë krahasimin e iniciativave, procedurave dhe kostove të ndërtimit të këtyre dy rrugëve, që ngjanë aq shumë me njera-tjetrën në çdo aspekt, për të mos u hutuar nga rrugaçëritë majtiste të opozitës shqiptare. Nga ana tjetër, ndëtimi i një vepre të tillë madhore siç është rruga “Durrës-Kukës” mund të bëhet nga kompani të fuqishme të tipit “Bechtel-Enka”. Firma amerikane “Bechtel” është themeluar qysh në vitin 1898 dhe ka ndërtuar gjithësej 22 mijë projekte në 140 vende të botës, midis të cilave mund të përmendim Super Digën, Hoover, tunelin e madh që lidh Francën me Anglinë, Aeroportin e Hong Kongut, etj. Po kështu ka rikonstruktuar fushat e naftës në Kuvajt, pas luftës . Kjo kompani është një nga më të mëdhatë në botë në sektorin e ndërtimit dhe menaxhimit. Ndërkohë "Bechtel" vlerësohet si kompania “numër një” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa “Enka Construction & Industry Co. Inc” është aktualisht një nga kompanitë që drejton industrinë e ndërtimit në Turqi, gjithashtu një nga më të njohurat në botë, sidomos në fushën e ndërtimit të TEC-eve. Kompania dhe degët e saj operojnë në tre kontinente dhe kanë si aktivitet ndërtimin e TEC-eve, të rrugëve, tuneleve e urave, komplekseve kimike, linjave transportuese të gazit, qendrave të banimit. Si përfundim mund të themi se, CV-ja e këtyre dy kompanive është jo vetëm një garanci për cilësinë e lartë të ndërtimit por edhe për pastërtinë financiare të veprimeve me shtetin shqiptar. Në këto kushte, vetëm një i marrë apo rrugaçë rrugësh mund të mendojë për korrupsion me amerikanë apo turqë të këtij standarti.