E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uria për inkoherencë e Antenës

Unë, zotërinë Mero Baze nuk e njoh, por kam një kuriozitet intelektual që më shtyn ta lexoj e të shoh se deri ku arrin të shkojë pena e tij prej gazetari në diskursin publik. Shkruan me vullnet e si mundet, por zotëron disa defekte karakteri: është hakmarrës dhe inkoherent. Shpjegoj. Kohët e fundit në gazetën e tij, ai po u jep një kredi të palimituar disa renegatëve resatakë të PD-së dhe asaj partie që Baze vetë e ka konsideruar si “partia e korrupsionit” - alias PDK-në. Editorialet e Bazes para pak kohësh ishin mbushur me etiketimet më stampuese për këtë parti që sot ka hyrë në ambalazhin e importuar “Poli i Lirisë”, dhe e quan edhe si shpresëdhënëse. Nuk iu duket se ka një kontradiktë në atë çfarë shkruan e thotë sot Zoti Baze? Gjykoj se po. Përndryshe do ta shikonim si çështje skizofrenie, por nuk është ky rasti. Baze nga intelekti thuhet se është normal, por ndoshta zelli më të cilën ai i përkushtohej njëherë e një kohë PD-së e ka lodhur. Lodhja është njerëzore. E kuptueshme, mosha ka shkarjet e veta. E duke mos parë se gjithë ai mund i maskimit i shkoi dëm, doli nga dritarja e i tha vetes: pa të shoh njëherë se si është bota kundër bindjes time. 
Shkriftësia e prodhuar në pak muaj nga kjo logjikë më ka lënë diçka të thartë në gojë. Duhet të pështyj përtokë por nuk mundem. Nuk ma lejon edukata dhe ndërgjegjja. Pastaj nuk do të ishte edhe e drejtë. Por kam dyshimin se ky ose ndryshon mendje lehtë në një hark kohor të kufizuar - çka mund të jetë edhe e vërtetë - ose prej disa muajsh ka bërë plane për çka ende shumë nuk dimë. Nuk është një supozim kriminal, por thjeshtë një kërkesë sqarimi. Nuk besoj se Baze hipën në një anije rentiere, ku kapiten është po ai i 1997-të, mjek roje është një që ka bërë juridik, dhe një tirons që nuk i pëlqen rakia e Skraparit, sepse pihet me kokme. Do të ishte rimishërimi i polit negativ. Afërmendsh, edhe i pasigurt për plane afatgjata.
Ky kofin politik nuk është gjë tjetër veçse masturbacioni intelektual i disa njerëzve, që kërkojnë të vishen edhe njëhere më kollaren e pluhurosur e të dalin nëpër televizione e intervista. Do të ishin më mirë atje, në muzeun e memorieve. Se për qytetarët ata kanë dhënë prova të mjaftueshme paaftësie drejtuese. Madje gazetari intim i punëve të keqija, kryetarit të Partisë Demokristiane, që demokristiane nuk ka asgjë, i pat veshur atë që përfaqësonte në politikë shqiptare - korrupsionin masiv - duke ia përmendur dikur me mish e me shpirt. Madje insipiruesi i Bashkimit Evropian Alcide De Gasperi po të dëgjonte sesi përdoret ideja e demokracisë kristiane në Shqipëri do t’i kishte hequr patentën me kohë. Koha ka ndryshuar, por jo për të gjithë.
Sot në këtë kurs ndryshimi të gjithanshëm editori Baze i jep kredibilitet një fasade politike të lyer vetëm me nostalgjinë e dhjetorit. Boja iu ka dalë njëherë, bile është vetë Baze që me lavazhin e tij oreullian i cifloste sa herë i donte qejfi.
Sot ka teka të tjera. Tekanjozët ne na pëlqejnë deri në njëfarë mase. Më mirë logos sesa patos. Ideja e një kryqëzate kundër PD-së në emër të një revival xhaketash të vjetra dhe inkuizicionistë të orës së fundit, e plus kusarët, është e gabuar, për të mos thënë e dëmshme.
Jo, konsekuenca e zotit Baze mes asaj që mendonte para pak kohësh dhe shkrimeve të kohëve të fundit na japin mundësinë të mendojmë se ai sulm ballor që i bëhet qeverisë është thjesht një hakmarrje. Një farsë e gatuar në restorant Vjena? Unë nuk dua ta besoj se thelbi i mirë i çdo njeriu kryqëzohet edhe me post-komunistët. Nuk dua ta besoj.
Përsa i përket “Polit të Urisë” nuk kam fjalë të tjera t’u them. Uria jo vetëm për politikë apo për bukë të bën të deklarosh lloj-lloj karagjozllëqesh përpara kamerash. Por deklaratat e tyre do të ishin lëndë e parë vetëm për kamerat e fshehta, e jo për sofrat e shtëpive shqiptare. Më duket se sot ka ardhur më të vërtetë koha kur turpi hahet me bukë. Uria është shtysa e parë që e nxori njeriun nga shpella e errët.  Nuk iu vë faj. Por të kalosh si i babëzitur në katapultime logjike për çdo tragjedi, për çdo gjë që s’shkon në Shqipëri është më të vërtetë kulmi. Kuja e njerëzve që kanë humbur dinjitetin e tyre nga kaq shumë kohë në këtë komb nuk amplifikohet duke i dhënë njërit karrotën se kanë Uri e tjetrit Dajakun, se e kam mëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›