Hapet DOKUFEST, sonte, "Shqipëria, vendi përballë"
Edicioni i tetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest 2009, u hap mbrëmjen e së hënës, në Kino Lumbardhi ose ndryshe e njohur si Kino Bahçe.
Ngjarja më e rëndësishme për kinemanë që zhvillohet sot për sot në Kosovë, mblodhi rreth vetes edhe figura të jetës publike të kulturës dhe politikës, vendas dhe të huaj
Festivali u hap me performancën e artistit nga Prizreni që jeton në Belgjikë, Maksut Vezgishti, me titullin "Europa - Trier Antidepressure", interpretuar nga aktorja dhe balerina Agnes Nokshiqi. Vezgishi solli një përjetim personal të idesë aktuale për hyrje në Europë.
"Performanca është një lloj proteste ndaj mekanizmit europian, i cili i ka shtresat e veta dhe ne ndodhemi diku në shtresat e arta të qymyrit," - tha Vezgishi.
Në vijim fjalën e mori drejtori i përgjithshëm i DokuFest-it, Aliriza Arënliu, i cili përmendi pikat e forta të DokuFest-it dhe mes tjerash edhe punën e palodhur të vullnetarëve që "i japin shpirt festivalit", programin masiv të përzgjedhur nga Veton Nurkollari dhe ekipi i zgjedhjes së veprave filmike. Ai foli për edicionin ekskluziv të këtij viti, i quajtur Green Docs, me qëllim për më shumë "vetëdije në mbrojtje të ambientit."
Në ceremoninë e hapjes u prezantua filmi "Youssou Ndour-I Bring What I Love" i regjisores Elizabeth Chai Vasarhelyi, e cila rrëfente sfidat e këngëtarit të njohur Senegalez Youssou N'Dour, i cili me albumin e tij "Egypt", krijoi një lidhje të fortë mes fesë islame dhe muzikës.
Në këtë mbrëmje nisi punën edhe kinemaja Kino n'Lum, e ndërtuar enkas për këtë edicion të festivalit, ku u shfaq filmi dokumentar francez "Home".
DokuNights u hap me DJ-in nga Prishtina Kung-Ulli, i cili solli ritme të muzikës Ska dhe Reggae, si dhe lojëra me flakë. DokuNights mbahen në caffe-restorantin "Te Mullini", në zonën e gjelbër të Prizrenit në Marash.
Dje në mesditë ka filluar programi i rregullt i DokuFest-it, me filmin dokumentar të metrazhit të gjatë "Burma VJ-Reporting from a Closed Country". Programi ka vijuar me Sfidën Ndërkombëtare të Dokumentarit, një homazh për regjisorin Kieslowski, si dhe dokumentarin "Jeta vetmitare e lejlekëve" i regjisores dhe njëherësh anëtares së jurisë, Eva Weber.
Ndërsa sot në mbrëmje, në orën 20.30, shfaqet dokumentari "Shqipëria vendi përballë", me regji të Roland Sejkos dhe Mauro Brescia-s. Edhe pse një produksion italian i Arkivave Luce (2008) për historinë e Shqipërisë sipas imazheve arkivore nga pavarësia deri në rënien e komunizmit, filmi është seleksionuar dhe konkurron në kategorinë Balkan Docs. Juria e këtij seksioni përbëhet nga poeti belg me origjinë shqiptare Skënder Sherifi dhe nga Eva Weber e Can Dndar.
Fituesit e Festivalit të të Rinjve
Të rinjtë kthejnë Kin Dushin
Teatri Kombëtar bëri të ditur dje fituesit e edicionit të katërt të Festivalit të Teatrit për të Rinj, që mbahet çdo vjeshtë me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Në konkurrim kanë hyrë nëntë projekte, nga të cilët juria ka zgjedhur 6. Juria, e përbërë nga Kristaq Skrami, Rajmonda Bulku, Gazmend Mullai, Herida Duro dhe Erion Hinaj, i cili vitin e kaluar u shpall fitues nga ky festival për regjinë më të mirë.
Vihet re se veprat, me të cilat janë paraqitur të rinjtë këtë vit janë të larmishme dhe autorët "të sigurt", që nga Juxhin O'Nill, tek Federiko Garsia Lorka, Luigi Pirandello, Samuel Becket apo Kin Dushi. Ky i fundit, një autor shqiptar i lënë në harresë, i ngritur dhe i goditur gjatë epokës së realizimit socialist në letërsi dhe arte, kryeredaktor i revistës "Ylli", autor i librave "Në gojën e ujkut", dhe "Udha e Velanit", kurse rënia e tij ndodhi me romanin e tretë që u ndalua.
Juria e ka shpallur fituese të renë Sonila Ulqinakun, e cila konkurroi pikërisht me një vepër të Dushit, "Banorët e shkallës nr/5". Fituesit e tjerë janë Zana Krasniqi me "Norvegjia sot", të Igor Bauersima; Elis Mataj me "Fundi i lojës", të Samuel Becket, Saimir Sina me "Parfumeria", të Haqif Mulliqit; Najada Elmazi me "Morsa", të Luigi Pirandellos dhe Alma Hoti me të famshmen dramë gjaku të Lorkës, "Shtëpia e Bernarda Albës".