Subashi: Vota ime pro rezultatit, detyrim i kodit
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, argumentoi dje votën e saj pro rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Ndërsa zërat për ndryshime në kod, ajo i cilëson të nxituar
TIRANË - Pak ditë më parë, Partia Demokratike e konsideroi votimin 7 me 0 një arritje të madhe, duke e përdorur jo pak si argument ndaj Partisë Socialiste, e cila
nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Por, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, sqaroi se votimi i saj pro ndarjes së mandateve dhe shpalljes së rezultatit ishte një detyrim, që e përcakton Kodi Zgjedhor.
Subashi komentoi dje edhe zërat që vijnë nga partitë politike për ndryshimin e Kodit Zgjedhor."Vendimmarrja e anëtarëve të KQZ-së për certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve, nuk mund t'i referohet bindjes, që për shkak se unë kisha një kontekst për tabelën e rezultateve, të mos votoj ndarjen e mandateve.
Ligji ma ndalon këtë sjellje, sepse do të konsiderohej një sjellje politike dhe do ta kthente këtë institucion në një vendimmarrje politike, ndërkohë që unë kam detyrimin ligjor, që në vendimmarrje të bazohem vetëm në Kodin Zgjedhor dhe për këtë arsye unë kam bërë votimin",- tha dje Subashi. Përpos votimin ligjor që ajo bëri, Nënkryetarja e KQZ-së nuk mund të përjashtojë nga kritikat e saj vendimet që mori Kolegji Zgjedhor për zonat më problematike, si Berati apo Shkodra.
Ajo shtoi se Kolegji Zgjedhor shkeli hapur ligjin. "Natyrisht, unë nuk komentoj vendimin e gjykatës. Komentoj të drejtën time që është shkelur hapur ligji në të drejtën që unë kisha për të kërkuar rinumërimin dhe rivlerësimin e disa votave dhe disa qendrave të votimit, për të cilat unë kisha një objeksion",- tha Subashi
Ndryshimi i kodit
Që prej vitit 2000, në 6 proceset zgjedhore me të cilat është përballur vendi ynë, si ato lokale, dhe ato parlamentare, nuk është përdorur asnjëherë i njëjti ligj elektoral. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, jep mendimin e saj për këtë çështje, duke sugjeruar se nuk mund të bëhet ndryshimi i Kodit Zgjedhor, pa u analizuar rezultati.
"Kjo tashmë është bërë në modën e politikës, që sapo shpallet rezultati përfundimtar, nxitohet për të thënë që do ndryshojmë kodin. Më duket pak e nxituar, ndoshta emocionale, të diskutosh për ndryshime të kodit, ku nuk ka vetëm pak ditë kur kanë përfunduar këto zgjedhje",- tha ajo.
Nënkryetarja e institucionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve, në cilësinë e një teknicieneje për zgjedhjet, shprehu dëshirën e pasjes së një Kodi Zgjedhor që t'i rezistonte kohës dhe të krijonte praktika zgjedhore, sepse kjo do të stabilizonte dhe çështjen e arritjes së standardeve. Që prej vitit 2000, ndryshimet në ligjin elektoral kanë sjellë ndryshime në sistemet zgjedhore, numërimin e votave, por mbi të gjitha dhe në administratën që menaxhon këtë proces.