E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mazhoranca dhe opozita të shprehin dakordësi për zgjidhje politike”

25-06-2012 / Gazeta 55

Reforma Zgjedhore, reagojnë Vëzhguesit Vendorë

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i kërkon dy krerëve të partive më të mëdha në vend, Sali Berisha dhe Edi Rama të takohen sërish për të diskutuar dhe zgjidhur politikisht të gjitha ngërçet e mbetura të reformës zgjedhore.
Nëpërmjet një letre të hapur drejtuar atyre, dhe trupit diplomatik në Tiranë, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, kërkon që secila palë të tërhiqet nga diskutimi i numërimit elektronik, i cili kërkon shumë kohë dhe procese të tjera. “Në ditët e mbetura Komisioni duhet të trajtojë probleme të tjera akoma më të rëndësishme, siç është identifikimi elektronik i votuesve, i cili si proces, në ndryshim nga numërimi elektronik, nuk duhet parë si zëvendësues i punës së komisionerëve, por si proces paralel i procedurës aktuale, si një garanci më shumë dhe mundësi kontrolli për shmangien e abuzimit nga komisionerët e qendrave të votimit, votimin më shumë se një herë, apo edhe mundësinë për votimin e emigrantëve, etj”, thuhet në letrën e hapur të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë.
Duke u fokusuar te çështja më e diskutuar, ajo e përbërjes së KQZ-së, Koalicioni i Vëzhguesve Vendore i dorëzon një draft propozim Berishës dhe Ramës, sipas të cilit propozohet që zgjatja e mandatit të anëtarit të KQZ-së, të jetë shtatë vjet. Kjo sipas Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, do të ndihmojë në krijimin e një mekanizimi që forcon garancinë dhe pavarësinë e funksionimit të institucionit të KQZ-së.
Një propozim tjetër i Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë është edhe ajo për korrektimin zgjedhor. “Koalicioni vlerëson vullnetin politik të shprehur dhe nënshkruar në deklaratën e 26 partive politike në fund të muajit prill të këtij viti, përfshirë edhe dy partitë e mëdha, për korrektim të sistemit zgjedhor, dhe e konsideron të pakuptimtë mbajtjen pezull të këtij vullneti. Për një përfaqësim sa më të mirë të votës, Koalicioni në vazhdimësi të qëndrimeve të shprehura më parë nxit dy partitë e mëdha PD dhe PS të materializojnë ligjërisht në Kodin e Ri Zgjedhor korrektimin e sistemit zgjedhor”, thuhet në letrën e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›