E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Kultura dhe çështja çame i përket çdo shqiptari

25-06-2012 / Gazeta 55

Java e Kulturës dhe Historisë së Çamërisë nga data 25-30 qershor

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi fton të gjithë shqiptarët që të bëhen pjesë e aktiviteteve të Javës së Kulturës dhe Historisë së Çamërisë që do të zhvillohet nga data 25 deri më 30 qershor.
Gjatë një deklarate për shtyp, ai deklaroi se kjo është java ku të gjithë duhet të bashkohemi për të drejtat e një popullsie, e cila u diskriminua, masakrua dhe u dëbua, vetëm pse ishin shqiptarë. “Kjo javë shpalos kulturën, traditën dhe historinë, e një treve, pa të cilat kombit tonë do t’i mungonte një pjesë e identitetit të tij. Për këtë arsye, për herë të parë, çështja çame dhe kultura e Çamërisë do të dalin nga sallat e mbyllura të konsumit të brendshëm, për t’u bashkuar me çdo shqiptar. Përgjatë gjithë javës kemi planifikuar një sërë aktivitetesh të cilat nuk do të vendosin në pah fjalët e ftohta të diplomacisë dhe politikës. Në qendër të vëmendjes do të jenë dëshmitë e atyre që në moshë fare të vogël kanë parë masakrimin e të afërmve dhe janë detyruar, në mes të dimrit, të përshkojnë qindra kilometra nën armët e armiqve të tyre. Do të përqendrohet në bukuritë dhe pasurinë historike të kësaj treve, në personalitetet e kombit tonë që janë nga Çamëria”, tha Idrizi.
Kreu i PDIU-së theksoi se çështja çame do të prezantohet në Kuvendin e Shqipërisë, ku të gjithë deputetët do të njihen me historinë dhe tragjedinë e kësaj pjese të popullit shqiptar. “Çamëria, çështja çame dhe kultura e kësaj treve, i përkasin të gjithë shqiptarëve, pavarësisht prejardhjes së tyre krahinore, apo bindjeve të tyre politike.
Lajtmotivi i kësaj jave do të jetë ditën e shtunë, aty ku ne shlyejmë një borxh ndaj martirëve të kombit tonë, që humbën jetën nga genocidi grek. Në Kllogjer të Sarandës, ku më shumë se 3000 shqiptarë të Çamërisë humbën jetën e nuk u lejuan të kishin as një gur mbi varr do të kenë një varrezë monumentale për t’i nderuar, për të kujtuar atë çka ndodhi e për të marrë forcë për betejën tonë legjitime. Nevoja për të mos harruar është sot qëllimi i çdo shqiptari patriot. Në Kllogjer, do të nisim një epokë të re, ku e shkuara do të gdhendet e pashueshme dhe e ardhmja do të marri një hov të ri”, theksoi Idrizi.
Ai deklaroi gjithashtu se “një tjetër projekt madhështor do të gjejë zbatim në Ninat të Sarandës, ku do të nderohen figura të shquara të kombit si Hasan Tahsini dhe Bilal Xhaferri me një kompleks muzeal për shqiptarët e Çamërisë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›